Kërkuesit sugjerojnë se rreziku potencial për nënën dhe beben për lindjen vaginale pas një lindje të mëparshme me prerje cezariane mund të ketë qenë nënvlerësuar.
Një studim që përfshiu më shumë se 2000 gra në 14 maternitete tregoi se përsëritja e operacionit cezarian reduktoi rrezikun e lindjes së frutit të vdekur, problemet serioze të bebes dhe hemoragjinë e madhe mëmësore, krahasuar me planifikimin e lindjes vaginale pas pasjes së një lindjeje të mëparshme cezariane.
Një lindje e fëmijës së vdekur mund të parandalohet për 66 operacione të përsëritura cezariane, kjo sipas rezultateve të një studimi të drejtuar nga Caroline Crowther, profesoreshë në Institutin Robinson të Universitetit Adelaide.
“Deri tani ka pak të dhëna cilësore për të krahasuar përfitimet dhe dëmet e të dy mënyrave të planifikimit të lindjes pas një lindjeje të mëparshme cezariane”, tha profesoresha Crowther.
I pari i studimeve të këtij lloji u bë me rekrutimin e 2345 grave me lindje të mëparshme cezariane. Vetëm pak prej tyre (22) pranuan randomizimin (të ishin shënjestruar për një anë të caktuar të studimit). Gratë e tjera u shënjestruan në përputhje me parapëlqimin e tyre (1225 për lindje vaginale dhe 1098 për lindje cezariane).
Studimi tregoi se më shumë se gjysma e atyre që ishin planifikuar me lindje vaginale (702) përfunduan me lindje cezariane, përfshirë këtu edhe 368 që patën procedurë emergjente.
Rreziku i vdekjes fetale, vdekjes së fëmijës së lindur gjallë, ose dëmet e rënda gjatë lindjes ishin sinjifikativisht më të ulëta për grupin me prerje cezariane, krahasuar me grupin me lindje vaginale (0.9 % për grupin cezarian, përkundrejt 2.4 % për grupin me lindje vaginale).
Dhe gratë në grupin cezarian kishin më pak gjakrrjedhje ose nevojë për transfuzion (0.8 % e grupit cezarian, përkundrejt 2.3 % e atyre të grupit me lindje vaginale).
Pati dy lindje të fëmijëve të vdekur që nuk u arrit të shpjegoheshin në grupin me lindje vaginale dhe asnjë vdekje paranatale në grupin me prerje cezariane.
Obstetri Steve Robson, Profesor i asociuar, zëdhënës i Kolegjit Mbretëror të Obstetërve dhe Gjinekologëve të Australisë dhe Zelandës së Re (RANZCOG), vuri në pikëpyetje argumentet tradicionale ekonomike të lindjes vaginale dhe asaj cezariane, pasi studimi sugjeroi se shumë nëna mund të përfundojnë me ndërhyrje emergjente cezariane.
Profesor Robson tha: “për një kohë të gjatë ne ndoshta e kemi nënvlerësuar dëmin dhe kemi mbivlerësuar suksesin e lindjes vaginale krahasuar me atë cezariane dhe ky studim ishte një e dhënë më shumë në lidhje me këtë”.
Të dhënat e mëparshme të kuotuara nga mjekët ishin se një e treta e grave që kanë patur më parë ndërhyrje cezariane mund të kenë lindje vaginale me gjysmë shansi për sukses, por studimi tregoi më keq se kaq, tha ai. “Të dhënat më të mira që ne kemi tregojnë se nëse përpiqeni për një lindje vaginale pas një lindjeje cezariane, bebja vendoset në një rrezik më të madh dhe ka shumë mundësi që rezultati të shkojë drejt një prerje cezariane emergjente”.
Edhe pse kërkuesit kanë theksuar se diferenca absolute e rrezikut në rezultatet shëndetësore midis dy zgjedhjeve të mënyrës së lindjes së bebes është e vogël, është planifikuar që studimet të vazhdojnë me ndjekjen e shëndetit të nënës dhe fëmijës pas lindjes për të parë efektet afatgjata në shëndetin e nënës dhe zhvillimin e fëmijës.
Komentoni