Regjistrohu/Kyçu

Trajtimi i impotencës

Impotenca, gjithashtu e njohur si disfunksioni erektil ose ED, është një problem shumë i zakonshëm, që prek më shumë se 100 milion meshkuj. Teknikat e trajtimit kanë ndryshuar përgjatë viteve. Deri më 1970, dështimi erektil konsiderohej pothuajse gjithmonë si shkak i problemeve psikologjike dhe zakonisht është trajtuar me psikoterapi.

Që atëherë, shkaqet mjekësore që kontribuojnë në impotencë kanë qenë të njohur dhe trajtimi i dobësisë është revolucionarizuar, duke ofruar një sërë mundësish, të cilat janë shumë më të pranueshme dhe shumë më të suksesshme.

Mundësitë e trajtimeve tani përfshijnë tabletat, terapinë e vetë-injeksionit, kirurgjinë, terapinë hormonale dhe këshillimin.

Tabletat për disfunksionin erektil

Tableta e parë, e pranishme për disfunksionin erektil është Viagra. Mjekime të ngjashme janë Cialis dhe Levitra, që kanë një mekanizëm të ngjashëm veprimi me Viagrën, pavarësisht se ndërmjet tyre ekziston një ndryshim në kohëzgjatjen e veprimit.

Këto trajtime ndihmojnë në procesin e arritjes dhe mbajtjes së një ereksioni, duke punuar me mekanizmat biokimike të një ereksioni. Ato i përkasin një grupi ilaçesh të njohur me emrin phosphodiesterase  5 (PDE5).

Mjekimet siç janë Viagra, Cialis dhe Levitra, do të funksionojnë vetëm nëse jeni seksualisht të stimuluar. Ato nuk rrisin aftësinë tuaj seksuale.

Efektet anësore të këtyre ilaçeve mund të përfshijnë dhimbjen e kokës, mostretjen dhe në raste të rralla një shtrembërim të vizionit (shikimit).

PDE5 nuk mund të merret nga të gjithë meshkujt, kështu që mjeku juaj do të ketë nevojë për të vlerësuar përshtatshmërinë tuaj me marrjen e këtyre ilaçeve. Meshkujt me probleme të caktuara të zemrës, nuk duhet asnjëherë të marrin Viagra, Cialis ose Levitra. Konsultohuni me mjekun, për të parë nëse ky lloj mjekimi është i përshtatshëm për ju.

Terapia e vetë-injektimit

Caverject, është terapi vetë-injektimi, që përçon alprostadil, gjithashtu i njohur si prostaglandin E-1, në indet erektile në penis. Prostaglandin E-1 ndodh në mënyrë natyrale në trup dhe rrit qarkullimin e gjaku-t në organin gjenital mashkullor për të shkaktuar ereksion. Alprostadil shkakton ereksion, pavarësisht nëse penisi është i stimuluar apo jo.

Caverject prodhon një ereksion 5 deri në 20 minuta dhe, zakonisht, ereksioni zgjat 30 deri në 60 minuta.

Njerëzit me sëmundje të caktuar, siç është leuçemia (leukemi) dhe anemia nuk duhet ta përdorin atë. Meshkujve, të cilëve nuk i këshillohet aktiviteti seksual, nuk duhet të përdorin Caverject.

Sidoqoftë, gjithmonë duhet të pyesni mjekun nëse kjo terapi është e përshtatshme për ju. Mjeku, gjithashtu, do t’ju përcaktojë sasinë e përshtatshme dhe sesi ta administroni atë siç duhet.

Nuk duhet ta përdorni atë, më shumë se një herë në 24 orë, dhe jo më shumë se 3 herë në javë.

Mos provoni që të përdorni më shumë sesa doza e rekomanduar, pasi ereksioni juaj mund të zgjasë më shumë sesa është mjekësisht i sigurt. Nëse ereksioni juaj zgjat më shumë se 4 orë, kontaktoni mjekun.

Efekti më i zakonshëm anësor përfshin dhimbje në organin gjenital mashkullor.

Kirurgjia implant penile (kirurgjia e protezës penile)

Proteza penile që ndryshe njihet edhe si “shkopi i lumturisë” është mënyra e vendosjes me operacion të protezës në mënyrë të përhershme dhe që të mos vihet re ndryshimi. Edhe pse ekzistojnë shumë lloje protezash, 2 nga ato janë më të përdoruarat.

1-Proteza Inflatable (e fryrë):

-Me një sistem “pompë” që vendoset në anën e testikujve dhe që nuk vihet re nga jashtë, mund të sigurohet ereksioni sa herë që dëshirohet (penisi forcohet duke u fryrë). Po në të njëjtën mënyrë, me anë të pompës, sigurohet edhe shfryrja. Penisi është në pamjet natyrore dhe nuk ka nevojë të fshihet;

2- Protezat e përkulshme (elastike)

-Përdorimi është shumë i thjeshtë. Kostoja është më e ulët dhe mundësia e prishjes mekanike është gjithashtu shumë më e ulët. Por penisi është vazhdimisht i fortë. Në përdorimin ditor mund të përkulet kështu që nuk do të vihet re nga jashtë.

Si të gjitha kirurgjitë e tjera, edhe në këtë kirurgji ekzistojnë disa rreziqe, siç është infeksioni ose gjakderdhja. Nëse keni bërë operacionin dhe keni dhimbje të shumta, temperaturë, ënjtje ose gjakderdhje të shumtë, kontaktoni menjëherë mjekun tuaj.

Trajtimet hormonale

Në një numër të vogël meshkujsh, testet e gjaku-t mund të shfaqin anormalitete të niveleve të ulëta të testosteronit, hormoneve mashkullore. Në raste të tilla, mjeku mund t’ju japë një sërë injeksionesh të testosteronit. Suplementet do të ndihmojnë në jetën seksuale, sikundër edhe të rrisin mundësinë e arritjes së ereksionit. Në mënyrë tradicionale, injektimet e testosteronit duhet të bëhen çdo 2 ose 3 javë. Implantet e testosteronit zgjasin për 4 deri në 6 muaj.

Këshillimi

Disfunksioni erektil shpesh ka shkaktar fizik, por në disa raste ekziston një shkak psikologjik për problemet e ereksionit. Zakonisht, kjo është një formë e përjetimit të ankthit. Mashkulli mund të ketë pasur episode të disfunksionit erektil si rezultat i lodhjes, stresit, vështirësisë në marrëdhënie dhe intoksikimit. Kjo mund të ketë sjellë si pasojë të ndjerit në siklet ose të dështuar. Kjo ndjenjë ankthi ka mundësi që të shkaktojë disfunksionin erektil. Në këto raste, është mirë që të shkoni tek mjeku, këshilluesi ose psikologu.

Stresi, ankthi dhe vetëvlerësimi i ulët, luajnë një rol madhor në jetën seksuale. Të njëjtën gjë bëjnë edhe shumë sëmundje kronike fizike, edhe pse nuk ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në funksionin gjenital. Këshilluesit dhe psikologët mund të ndihmojnë me këtë dhe me shumë probleme të tjera seksuale.  Ato janë veçanërisht të aftë për të ndihmuar pacientët për të kapërcyer fajin apo ankthin në lidhje me abuzimin seksual, dhe duke ndihmuar çiftet për të zgjidhur vështirësitë në marrëdhënie. Probleme të ngjashme mund të trajtohen me anë të disa vizitave, por problemet më të ndërlikuara mund të kërkojnë disa muaj apo edhe disa vite terapi.

Mjeku juaj mund të jetë ai që ju rekomandon tek këshilluesi ose psikologu që është i specializuar në problemet seksuale dhe atë të marrëdhënieve në çift.


Shemmy 13/11/2022

Sa kushton operacioni dhe kur mundem te e caktoj terminin

Anastas dali 13/06/2019

Nqs

Komentoni