Akalazia është një sëmundje e rrallë e muskujve të ezofagut (tubit të gëlltitjes). Termi akalazi do të thotë “dështim relaksimi” dhe i referohet paaftësisë së sfinkterit të poshtëm ezofageal (muskulit unazor që ndodhet midis sfinkterit të poshtëm dhe stomakut) që hapet dhe lejon kalimin e ushqimeve në stomak. Si rezultat, pacientët me akalazi kanë vështirësi në gëlltitjen e ushqimeve.
Ezofagu ka tri pjesë funksionale. Pjesa më e fuqishme është sfinkteri i sipërm ezofageal, i përbërë nga muskuj unazorë që formojnë fundin e sipërm të tubit të ezofagut dhe ndajnë ezofagun nga fyti. Në të shumtën e kohës sfinkteri i sipërm qëndron i mbyllur duke mos lejuar kalimin e ushqimeve nga ezofagu në fyt. Pjesa kryesore e ezofagut, është trupi i ezofagut, tub muskulor me gjatësi rreth 20cm. Pjesa e tretë funksionale e ezofagut është sfinkteri i poshtëm ezofageal, i përbërë nga muskuj unazorë dhe që pozicionohet në junksionin (vendbashkimi) e ezofagut me stomakun.
Njësoj si sfinkteri i sipërm, edhe sfinkteri i poshtëm qëndron i mbyllur në pjesën më të madhe të kohës duke mos lejuar kthimin e ushqimeve dhe lëngjeve acide nga stomaku ne ezofag. Sfinkteri i sipërm i ezofagut hapet gjatë gëlltitjes duke lejuar kalimin e ushqimeve dhe pështymës nga fyti në ezofag.
Më pas, sfinkteri i sipërm kontraktohet duke shtyrë ushqimin dhe pështymën poshtë në trupin e ezofagut. Muskujt unazorë kontraktohen në mënyrë progresive duke shtyrë ushqimin dhe pështymën nga trupi i ezofagut për në drejtim të stomakut. Në kohën kur vala e peristaltikës mbërrin sfikterin e poshtëm ezofageal, ky i fundit hapet duke lejuar kalimin e ushqimit në stomak.
Shpesh diagnoza e akalazisë dyshohet në bazë të historisë së sëmundjes. Zakonisht pacientët përshkruajnë disfaginë, vështirësi në gëlltitje (e cila sa vjen e përkeqësohet) për ushqimet e forta dhe të lëngshme për një periudhë të gjatë kohore, muaj e vite. Ato mund të kenë kthim të lëngjeve dhe ushqimeve në gojë (regurgitim), dhimbje kraharori ose humbje në peshë.
Rrallë, simptoma e parë është pneumonia aspirative. Për shkak se pacientët adaptohen me vështirësinë në gëlltitje duke u ushqyer me kafshata të vogla, përtypin mirë ushqimet, hanë ngadalë, këto masa praktike çojnë në diagnostikim të vonët të akalazisë për muaj ose vite. Diagnostikimi i vonë i akalazisë fatkeqësisht u heq mundësinë pacientëve që të trajtohen herët duke mënjanuar komplikimet e mëtejshme të akalazisë.
Vështirësia në gëlltitje (disfagia) prej akalazisë është e ndryshme nga vështirësia në gëlltitje prej strukturës ezofageale (ngushtim i ezofagut prej indit cikatricial). Në akalazi, disfagia ndodh si në ushqimet e lëngshme dhe në ato të forta, ndërsa në strukturën ezofageale dhe kancerin ezofageal disfagia ndodh vetëm në ushqimet e forta dhe më vonë në ushqimet e lëngëta.
Diagnoza e akalazisë zakonisht vendoset me rreze X, pasi pacienti ka gëlltitur sulfat bariumi dhe ekzaminimi quhet skopi ezofagu me kontrast. Bariumi imiton ushqimin që kalon nga ezofagu në stomak. Gjatë kësaj kohe mbahet nën mbikqyrje rruga që bën bariumi nën rrezet X. Në akalazi, skopia tregon zgjerim të pjesës së mesme të ezofagut dhe ngushtim karakteristik të pjesës së poshtme të ezofagut e cila shpesh duket si “sqepi i zogut”. Për më tepër, kontrasti i bariumit ngel në ezofag për një kohë të gjatë.
Manometria ezofageale është një test tjetër që specifikisht tregon anormali të funksionit të muskujve që është karakteristike në akalazi, dështim të muskujve ezofagealë dhe dështim të muskujve të sfikterit të poshtëm. Për të kryer testin e manometrisë, një tub i hollë që mat presionin gjatë kontraktimit të muskujve të ezofagut, futet nga hunda kalon në fyt dhe gëlltitet deri në ezofag. Në pacientët me akalazi, nuk është e pranishme vala e peristaltikës në ½ e poshtme të ezofagut gjatë gëlltitjes dhe presioni gjatë kontraksioneve të sfinkterit të poshtëm ezofagel nuk bie. Në pacientët me akalazi të theksuar, në pjesën e poshtme të trupit të ezofagut mund të shihet një tkurrje e fortë e menjëhershme. Avantazhi i manometrisë është që diagnostikon akalazinë në fazat e hershme ndonëse ekzaminimi me rreze X është normal.
Endoskopia, është ekzaminim shumë ndihmës në diagnozë ndonëse në fazat e hershme të akalazisë mund të jetë normale. Një nga gjetjet e hershme endoskopike të akalazisë është rezistenca që has skopi gjatë kalimit nga ezofagu për në stomak për shkak të presionit të lartë në sfinkterin e poshtëm ezofageal. Më vonë, endoskopia mund të tregojë zgjerim të ezofagut dhe mungesë të peristaltikës. Endoskopia, gjithashtu është e rëndësishme për të përjashtuar kancerin ezofageal ose shkaqet e tjera të disfagisë (vështirësisë në gëlltitje). Dy situata mund të imitojnë akalazinë: kancer i ezofagut dhe sëmundja Chagas e ezofagut. Sëmundja Chagas është infeksion i shkaktuar nga një parazit që quhet Trypanosoma cruzi . Infeksioni transmetohet tek njerëzit nëpërmjet insekteve pickuese. Pasi paraziti hyn në trup, fillimisht vendoset në muskujt e traktit tretës nga ezofagu në rektum, por mund të prekë edhe muskujt e zemrës. Në traktin tretës paraziti shkakton degjenerim të nervave që kontrollojnë muskujt, duke çuar në funksionim jo normal të të gjithë traktit tretës. Kur preket ezofagu, anormalitë janë identike me ato të akalazisë.
Trajtimi alakazisë përfshin: medikamentet orale (nga goja), zgjerim të sfinkterit të poshtëm ezofageal (dilatacion), kirurgji ku pritet sfinkteri (ezofagomiotomia) dhe injektohet me botilium toxin (botoks) në sfinkter. Të gjitha këto trajtime reduktojnë, pakësojnë presionin në sfinkterin e poshtëm ezofageal duke lejuar kalimin lehtësisht të ushqimeve nga ezofagu në stomak.
Medikamentet orale që ndihmojnë në relaksimin e sfinkterit të poshtëm quhen nitrate dhe kalcibllokues. Edhe pse disa pacientë që marrin medikamente orale lehtësohen nga simptomat, shpesh herë medikamentet nuk funksionojnë. Medikamentet orale qetësojnë situatën vetëm për një kohë të shkurtër dhe shpeshherë pacientët përjetojnë shumë efekte anësore prej përdorimit të tyre.
Sfinkteri i poshtëm ezofageal gjithashtu mund të trajtohet me zgjerim të sforcuar. Dilatacioni realizohet nëpërmjet një tubi që në fundin e tij ka një ballon i cili gëlltitet nga pacienti. Balloni vendoset midis sfinkterit të poshtëm nën drejtimin e rrezeve X. Në momentin që vendoset në vendin e duhur, balloni fryhet menjëherë. Qëllimi i ballonit është të zgjerojë sfinkterin dhe rreth 60-95% e procedurave kanë rezultuar me sukses. Në qoftë se dilatacioni nuk është i suksesshëm atëherë sfinkteri mund të lirohet me kirurgji. Komplikacioni kryesor i dilatacionit të sforcuar është ruptura (çarja e ezofagut), e cila ndodh në 5% të rasteve. Gjysma e rasteve të rupturave shërohen pa kirurgji, por kanë nevojë për trajtim me antibiotikë. Ndërsa gjysma e rasteve të tjera kanë nevojë për kirurgji. Vdekja prej dilatacionit të sforcuar është e rrallë. Dilatacioni është një procedurë e shpejtë dhe jo e kushtueshme në krahasim me kirurgjinë pasi ai nuk kërkon hospitalizim të gjatë të pacientit.
Një tjetër trajtim i akalazisë është injektimi me botoks në sfinkterin e poshtëm për ta dobësuar atë. Injeksioni është procedurë e shpejtë, jo kirugjikale dhe që nuk kërkon hospitalizim. Trajtimi me botoks është i sigurt, por efekti në sfinkterin e poshtëm zgjat për pak muaj dhe mund të lind nevoja për injektime të tjera shtesë. Injektimi me botoks është procedurë e përshtatshme për pacientët e moshuar dhe për ata që kanë faktorë të lartë rreziku për të kryer kirurgji, si p.sh. ata që kanë sëmundje të rënda zemre ose të mushkërisë. Gjithashtu, mund të përdoret tek pacientët që kanë humbur peshë për shkak të kequshqyerjes duke përmirësuar gjendjen e tyre. Kjo, mund të pakësojë komplikacionet e kirurgjisë.
Sfinkteri gjithashtu mund të pritet me kirurgji, procedurë e cila quhet ezofagomiotomia. Kirurgjia mund të kryhet me anë të një incizioni të vogël në bark që ndryshe quhet laparaskopi. Një alternativë tjetër është ndërhyrja nëpërmjet një çarjeje të madhe në bark, procedurë që quhet laparatomi.
Ezofagomiotomia është më e suksesshme se dilatacioni i sforcuar. Por në disa raste pacientët mund të bëjnë përsëri disfagi. Ezofagomiotomia nuk garanton kurim të përhershëm. Një nga efektet anësore prej uljes së presionit të sfinkterit është refluksi gastroezofageal. Për këtë arsye pacientët që kanë bërë ezofagomiotomi mund të kenë nevojë për antiacide për një kohë të gjatë.
Komentoni