Regjistrohu/Kyçu

Kontrolli i të përzierave dhe të vjellave të kemioterapisë

Ilaçe të reja dhe terapitë alternative mund të ndihmojnë të reduktohen, ose eliminohen efektet anësore të kemioterapisë.

Jo shumë kohë më parë, të përzierat dhe të vjellat që të gjymtojnë ishin rutinë për personat që i nënshtroheshin kemioterapisë. Por në saje të ilaçeve të reja dhe trajtimeve të tjera, nuk është më kështu. “Ne kemi bërë një përparim të madh”, thotë Dr. Karen Syrjala, drejtoreshë e Qendrës Kërkimore për Kancerin në Seattle. “Ne kemi shumë më pak të përziera dhe të vjella tani, edhe pse po përdorim doza më të mëdha të kemioterapisë se më parë”. Për arsye se ne mundemi që t’i kontrollojmë efektet anësore, trajtimi i kancerit në vetvete është bërë shumë më agresiv.

Medikamentet kundër të përzierave, janë kaq të efektshme sa që ekspertët e kanë zhvendosur fokusin e tyre nga trajtimi i të përzierave drejt parandalimit agresiv të tyre. Objektivi i tyre standard tashmë është të parandalohen të përzierat para se të ndodhin dhe jo të pritet sa të fillojnë dhe pastaj të trajtohen ato.

Natyrisht, jo të gjithë rastet e të përzierave dhe të vjellave mund të parandalohen, 70-80% të njerëzve që i nënshtrohen kemioterapisë ende përballen me njëfarë rreziku. Por në saje të një trajtimi më të mirë shumica e njerëzve në kemioterapi mund të bëjnë jetë normale, duke punuar dhe duke u kujdesur për familjet e tyre.

“Ju mund të mos ndiheni shumë mirë gjatë gjithë kohës”, thotë Dr. Carmen Escalante, përgjegjëse e katedrës së mjekësisë interne në Universitetin e Teksasit. “Por ju vazhdoni aktivitetin tuaj. Dhe ky është një përmirësim i madh i kemioterapisë së përdorur”.

Efektet anësore të kemioterapisë: Sa serioze janë ato?

Për njerëzit që nuk janë përballur me to, të përzierat dhe të vjellat e shkaktuara nga kemioterapia duken shumë më tepër se efekte anësore.

Kemioterapia mund të shkaktojë disa lloj të përzierash e të vjellash:

  • Të përziera dhe të vjella akute zhvillohen brenda disa orësh të kemioterapisë;
  • Të përziera e të vjella të vonuara mund të fillojnë më shumë se 24 orë pas trajtimit;
  • Të vjella të ndërmjetme ndodhin kur ju keni të vjella pavarësisht se keni marrë medikamente kundër të përzierave;
  • Të vjella paraprake ndodhin para trajtimit dhe është një reagim i mësuar nga trajtimet e mëparshme.

Të përzierat dhe të vjellat që nuk trajtohen mund të kenë efekte serioze. Të përzierat mund t’ju lënë të rraskapitur, me ankth dhe të pa ushqyer sa duhet.

Është e rëndësishme të kontrollohen të përzierat. Në qoftë nuk e bëni këtë mund të duhet që të ulen dozat e ilaçeve të kemioterapisë. Kjo është një diçka që ju do të donit ta shmangnit në qoftë se është e mundur. Të përzierat e pa kontrolluara i bën disa njerëz që të heqin dorë nga trajtimi.

Të vjellat kronike mund të prishin balancën tuaj të elektroliteve. Humbja e lëngjeve mund të rrisë toksicitetin e kemioterapisë dhe mund t’ju pengojë që të vazhdoni trajtimin tuaj.

Efektet e kemioterapisë: Kush është në rrezik?

Kush është në rrezik për efekte anësore të kemioterapisë kjo varet nga ilaçet që ata marrin, disa ka më shumë të ngjarë që të shkaktojnë simptoma se sa të tjerët.

P.sh. pa një trajtim parandalues ilaçet e kemioterapisë si Adriamycin (doxorubicin) dhe Platinol (cisplatin) kanë një shans më të madh se 90% të shkaktojnë të përziera, kurse ilaçet si methotrexate ose Navelbine (vinorelbine) kanë një rrezik më pak se 10%.

Ndërkohë që lloji i ilaçit është faktori më i rëndësishëm, ka gjëra të tjera që ndikojnë në shanset tuaja për t’u sëmurë. Disa faktorë të riskut janë:

  • Marrja e dozave të larta të ilaçeve të kemioterapisë;
  • Marrja e disa ilaçeve të kemioterapisë intravenoze në vend që të merren nga goja, meqenëse absorbohen më me shpejtësi;
  • Marrja e trajtimeve të shpeshta, sa më pak kohë që ju të keni për t’u rikuperuar midis trajtimeve aq më i madh është rreziku i të përzierave;
  • Qenia grua;
  • Qenia më pak se 50 vjeç;
  • Një histori e sëmundjeve të lëvizjes;
  • Qenia i prirë për të vjellë kur sëmureni;
  • Mos pirja e alkoolit.

Bisedoni me mjekun tuaj në qoftë se mendoni se keni rrezik më të lartë nga efektet anësore. Ai mund të dojë që ju të filloni të merrni ilaçe kundër të përzierave para se të filloni kemioterapinë.

Të përzierat paraprake – Pritja për t’u sëmurur

Pasi fillojnë trajtimin, afërsisht një në tre vetë në kemioterapi zhvillojnë të përziera paraprake ose të kushtëzuara. Ju mund të gjeni që çdo gjë që ju kujton fillimin e kemioterapisë, aroma e zyrës së mjekut, rruga për në klinikë ju shkakton të përziera. Rreth një në dhjetë kanë të vjella paraprake. Njerëzit zakonisht janë të sikletosur nga kjo. Ata mendojnë se kjo është një shenjë e sëmundjes por nuk është kështu.

Mendohet që ky është thjesht një reagim natyror i trupit  ndaj gjithçkaje që e bën atë të sëmurë. Ndodh për të njëjtën arsye nga neveria që ju ndjeni për ndonjë ushqim që ju ka shkaktuar më parë ndonjë helmim, edhe në qoftë se ka ndodhur dhjetë vjet më parë. Është trupi juaj që përpiqet t’ju mbrojë. Ndërkohë që kjo lidhje mund të shkëputet pasi të jetë stabilizuar, strategjia më e mirë është të parandalohet ajo. Personave me risk të lartë për të pasur të përziera ju rekomandohet të marrin ilaçe kundër të përzierave para se të fillojnë trajtimin. Edhe ndryshimet në sjelljen tuaj mund të ndihmojnë.

Një nga gjërat më të mira që mund të bëni është të mos e mbani mendjen atje. P.sh. para dhe gjatë kemioterapisë përqendrohuni në diçka tjetër dhe jo në trajtimin tuaj. Një bashkëbisedim intensiv, video lojërat etj. janë mënyra për ta bërë këtë.

Ilaçet e reja kundër të përzierave

Ilaçet e kemioterapisë i shkaktojnë të përzierat në mënyra të ndryshme. Disa stimulojnë qendrat e të përzierave në tru, ndërkohë që të tjera stimulojnë pjesë të ezofagut, stomakut apo të zorrëve. Shumica e ilaçeve kundër të përzierave bllokojnë stimulimin kimik të receptorëve të të përzierave. Ekspertët thonë që ideja për këto ilaçe erdhi në fillim të viteve 1990 me daljen e antagonistëve 5HT3. Këto ilaçe ishin një hap i madh përpara. Ato përfshijnë Anzemet (dolasetron), Kytril (granisteron), dhe Zofran (ondansetron). Edhe dy ilaçe të reja ndihmojnë për këtë. Ato janë Emend (aprepitant) dhe Aloxi (palonosetron). Të dy jepen intravenoze. Gjithashtu janë në dispozicion edhe lloje të tjerë ilaçesh.

Përmirësimet në medikamente kanë ndryshuar shumë për pacientët. Pesëmbëdhjetë vjet më parë, ilaçet që ishin në dispozicion për të kontrolluar të përzierat nuk ishin dhe aq të efektshme. Shumë njerëz duhej të shtroheshin në spital gjatë kemioterapisë, kaq të rënda ishin të përzierat dhe të vjellat. Tani shumica e kemioterapive bëhen ambulatore.

Terapia e sjelljes dhe trajtimet alternative

Disa terapi alternative munden edhe ato të kontrollojnë të përzierat dhe të vjellat veçanërisht kur u shtohen ilaçeve. Ato përfshijnë:

  • Akupunkturën;
  • Akupresionin;
  • Hipnozën;
  • Relaksimin e muskujve me imazheri të drejtuar.

Në përgjithësi, mjekët nuk kanë ndonjë gjë kundër trajtimeve alternative. Disa prej tyre kanë qenë të dobishme, por gjithmonë duhet që pacientët të këshillohen me mjekun në qoftë se ndjejnë që ilaçet që marrin nuk kanë efekt të mjaftueshëm.

Por të gjithë ekspertët paralajmërojnë përdorimin e barërave dhe plotësuesve pa u këshilluar më parë me mjekun. Barërat dhe plotësuesit janë në të vërtetë ilaçe. Ato mund të bllokojnë efektet e mjekimit që ju tashmë po e merrni. E për më tepër, asnjë nga plotësuesit nuk është e provuar që ndihmon. Përveç kësaj në gjendjen që jeni, gjëja e fundit që ju doni, është të mbushni gojën tuaj me më shumë tableta.

Debati për Marijuanën

Dihet prej kohësh që marijuana mund ta lehtësojë të përzierën. Një variant sintetik i përbërësit aktiv në të është ilaçi që jepet me recetë Marinol (dronabinol.) Përveç probleme ligjore, ka edhe disa rreziqe. Pacienti merr diçka që nuk ia di pastërtinë kur sistemi i tij imun është i kompromentuar. Në qoftë se bashkë me të do të thithë edhe ndonjë element mykotik, pacienti nuk ka imunitetin për ta luftuar atë. Por marijuana mund të jetë një trajtim i efektshëm.

Natyrisht, mjekët nuk mund ta japin atë me recetë, por ajo mund të qetësojë të përzierat. Marijuana e thithur është një ilaç i shpejtë dhe i efektshëm. Më e rëndësishmja është që pacientët ta kalojnë kemioterapinë pa të përziera dhe mjekët po punojnë të gjejnë rrugën më të mirë për këtë.

A mundet dieta të ndihmojë? Reduktimi i të përzierave me anë të ushqimit

Nuk ekziston ndonjë dietë e veçantë për kemioterapinë. Por ekspertët thotë se ushqimet pikante ose me aromë të fortë ka më shumë të ngjarë që të shkaktojnë të përziera. Pacienti mund ta gjejë vetë se cilat ushqime janë më të mirat për të.

Më e mira është që pacientët të kenë një dietë të shëndetshme gjatë kemioterapisë, për të marrë kështu mjaftueshëm vitamina e minerale. Por më e rëndësishmja është që të përfundohet kemioterapia në dozën që është këshilluar. Çdo ushqim që ju ndihmon të kaloni me sukses trajtimin është në rregull.

Megjithatë ka një gjë kryesore: ju keni nevojë të qëndroni të hidratuar. Dehidratimi mund të ndërhyjë në trajtim dhe ka edhe rreziqe të tjerë. Në qoftë se ju nuk pini mjaft lëngje mund të përfundoni në sallën e urgjencës.

Mund të gjeni se ngrënia e vakteve të vegjël më shpesh se sa më parë mund të parandalojë të përzierat. Megjithatë asnjëherë nuk duhet ta detyroni veten të hani kur keni të përziera. E rëndësishme është të hani rregullisht. Asnjëherë nuk duhet shkuar për kemioterapi me stomakun bosh. Kjo vetëm rrit rreziqet për të ndjerë të përziera. Nuk do ta kuptoni nëse kjo ju vjen nga ilaçi apo nga uria.

Hapi tjetër: Parandalimi i të përzierave nga kemioterapia

Natyrisht disa njerëz që marrin kemioterapinë do të kenë ende të përziera dhe të vjella. Por këto simptoma do të jenë shumë më pak të rënda se sa ju i prisni. Shumë njerëz kanë një frikë të shtuar nga kemioterapia. Ata sjellin ndërmend se sa e vështirë ka qenë kjo për të afërmit e tyre në të kaluarën. Por për shumicën e njerëzve, nuk është më kështu. Më parë duhej që pacientëve t’u jepeshin qetësues, tani ata mund të funksionojnë normalisht pas kemioterapisë, pa qetësues e pa të përziera.

Sipas ekspertëve trajtimi kundër të përzierave tani ka një objektiv të ri: parandalimin.

Sot ne nuk përpiqemi thjesht të kontrollojmë të përzierat dhe të vjellat, ne i parandalojmë ato. Sot kemi ilaçe që na bëjnë t’ju dalim përpara simptomave, thonë ekspertët.


Komentoni