Ky është një test i cili mund të zbulojë gjurmë të vogla të gjaku-t në jashtëqitje, gjurmë të tilla të vogla që nuk mund të shihen me sy të lirë. Testi mund të tregojë praninë e një sëmundje në një fazë relativisht të hershme kur jashtëqitja mund të duket normale.
Përdoren zakonisht dy lloje të testi-t të gjakut të fshehur në jashtëqitje, një test kimik (bazuar në reaksionin ndaj asaj pjese të hemoglobinës që mbart oksigjenin në qelizat e kuqe të gjakut) dhe një test imunologjik (përdorim i antitrupave që njohin hemoglobinën).
Gjaku në jashtëqitjen tuaj tregon që ka një hemorragji diku në sistemin tuaj të tretjes. Çdo hemorragji nga zorra ose gjaku në jashtëqitje duhet të ndiqet me kujdes nga mjeku. Ndonjëherë kjo lloj hemorragjie mund të shkaktohet nga hemorroidet, por mund të jetë edhe shenjë e një sëmundje serioze, siç është kanceri kolorektal, prandaj është e rëndësishme të vizitoheni e ta diskutoni këtë me mjekun tuaj.
Ky test përdoret për ekzaminimin e kancerit të zorrës ose për të përcaktuar nëse ka ndonjë hemorragji në sistemin tuaj tretës në qoftë se keni simptoma abdominale.
Zakonisht testi nuk u bëhet personave të cilët tashmë e shohin gjakun në jashtëqitjen e tyre ose të cilët tashmë kanë simptoma si anemi, ndryshime të vazhdueshme në regjimin e jashtëqitjes, humbje të pashpjegueshme të peshës ose hemorragji rektale. Në këto raste do të bëhen investigime më në thellësi.
Për disa lloje të këtij testi, duhet të shmangni disa ushqime dhe ilaçe disa ditë para dhe gjatë gjithë periudhës së testimit. Në qoftë se udhëzimet përmbajnë kufizime të dietës, sigurohuni që t’i ndiqni ato në mënyrë që rezultati të jetë i besueshëm.
Duhet ta shmangni bërjen e testi-t gjatë apo brenda 3 ditësh nga një periodë menstruale, në qoftë se keni hemorroide që rrjedhin gjak ose në qoftë se gjaku shihet me sy në urinën tuaj. Në këtë rast duhet të vizitoheni pa vonesë nga mjeku.
Në disa sëmundje të zorrës, gjaku mund të mos jetë çdo ditë i pranishëm në jashtëqitjen tuaj, kështu që ju mund të këshilloheni të përsërisni testin disa herë.
Disa teste kerkojnë marrjen e jashtëqitjes në një letër të trajtuar kimikisht. Ka dhe lloje më të rinj të testi-t që bëjnë testimin e ujit të tualetit mbi sipërfaqen e jashtëqitjes brenda në tualet. Në teste të tjerë mund të përdoret letra higjienike e përdorur.
Në qoftë se testi juaj rezulton pozitiv do t’ju kërkohet të kontaktoni mjekun tuaj. Një test pozitiv jo domosdo do të thotë që ju keni kancer, por do të nevojiten ekzaminime të mëtejshme, si kolonoskopia ose biopsia për të përcaktuar shkakun e hemorragjisë.
Gjithashtu duhet të kini parasysh se një rezultat negativ nuk është një garanci absolute që ju nuk keni kancer të zorrës. Pra, ju duhet të bëni çdo dy vjet një test për gjakun e fshehur në jashtëqitje dhe të vizitoheni menjëherë tek mjeku në qoftë se shfaqet ndonjë simptome nga ato të përshkruara më sipër.
Në qoftë se zbulohet herët ose në fazën e tij para malinje (para kanceroze), kanceri i zorrës ka një shans të mirë të parandalohet apo të kurohet.
Komentoni