Ezofagu është një tub që lidh gojën me stomakun tuaj. Paretet e ezofagut janë me shumë muskuj dhe kontraktohen (shtrëngohen) ritmikisht kur ju gëlltiteni për të ndihmuar ushqimin dhe lëngjet të shkojnë në stomak. Ky veprim quhet peristalsis.
Tek disa persona, këto kontraktime nuk funksionojnë siç duhet. Në këto raste, mund të nevojitet një test i njohur si manometria e ezofagut për të ndihmuar në diagnostikimin e problemit. Gëlltitja me vështirësi mund të përjetohet në qoftë se kontraktimet e ezofagut tuaj janë tepër të dobëta ose të parregullta, e ndërkaq në qoftë se kontraktimet janë tepër të forta mund të japin si rezultat dhimbje të kraharorit.
Manometria e ezofagut është një test diagnostikues të cilit ndonjëherë i referohen si një studim i funksionit ose lëvizshmërisë së ezofagut. Ai përdoret për të kontrolluar se sa mirë janë duke punuar muskujt e ezofagut si edhe për të matur forcën e sfinkterit të poshtëm të ezofagut ose “kllapës” që pengon rrjedhjen në drejtim të kundërt të ushqimit nga stomaku në ezofag.
Një tub i hollë e i butë kalohet nëpër undin apo gojën tuaj drejt e në ezofag. Tubi ka sensorë të presionit gjatë pareteve të tij dhe kur janë në vend, mund të masin presionin që prodhohet nga muskujt e ezofagut kur janë të çliruar apo kur kontraktohen.
Do t’ju kërkohet të pini me gllënjka të vogla ujë ose të hani bukë në copa të vogla, në mënyrë që presionet gjatë veprimit të gëlltitjes të mund të maten, regjistrohen e analizohen me ndihmën e një kompjuteri. Anestezia përgjithësisht nuk kërkohet për këtë procedurë, megjithatë mund të bëhet një spërkatje me anestetikë e fytit në qoftë se është e nevojshme, për të minimizuar sikletin.
Pasi mblidhet i gjithë informacioni, tubi largohet dhe testi përfundon. Në përgjithësi, e gjithë procedura zgjat rreth një orë, megjithëse një analizë e plotë e rezultateve të testi-t mund të kërkojë disa ditë.
Ky test mund të bëhet në qoftë se mjeku juaj dyshon se ju vuani nga njëra prej sëmundjeve që lidhen me funksionimin e ezofagut. Një sëmundje e tillë quhet akalazi, kur kontraktimet ritmike normale të ezofagut mungojnë dhe gjithashtu kllapa tek stomaku nuk arrin të çlirohet, duke shkaktuar që ushqimi të grumbullohet në ezofag.
Një përdorim tjetër i manometrisë së ezofagut është për diagnostikimin dhe vlerësimin e vështirësisë në gëlltitje në rastet kur investigimet e tjera nuk kanë çuar në një diagnozë.
Ju mund të përjetoni ndjesinë e të vjellit kur gëlltitet tubi, por pasi ai mbërrin në vend përgjithësisht nuk ka probleme. Pas testi-t mund të keni një pezmatim të lehtë të fytit. Gjithashtu mund të ketë rrezik për personat që kanë vështirësi në gëlltitje që ata të thithin pështymë ose acid gastrik në mushkëri në vend që ta gëlltisin atë në rrugë normale.
Megjithatë, dobitë e testi-t janë në mbledhjen e informacionit për funksionimin e muskujve të ezofagut, që nuk mund të përftohet me anë të ndonjë teknike tjetër. Pastaj kjo mund të lejojë ose zhvillimin e një programi specifik, ose sigurimin që rezultatet janë normale.
Komentoni