Regjistrohu/Kyçu

Kanceri i kockave: Zbuloni llojet, simptomat, shkaqet dhe mjekimet

Kanceri i kockave është një lloj i pazakontë kanceri i cili fillon të shfaqet në kockë. Kanceri i kockave mund të fillojë në çdo kockë të trupit, por ato që preken më shpesh janë kockat e gjata të këmbëve dhe duarve. Ekzistojnë lloje të ndryshme kanceri të kockave. Disa nga këto shfaqen më së shumti tek fëmijët ndërsa disa të tjerë prekin më shumë të rriturit.

Termi “kancer i kockave” nuk përfshin kancerat që fillojnë në pjesë të tjera të trupit dhe më pas përhapen (metastazohen) në kockë. Këto tipe kanceri emërtohen në fakt, nga vendi ku fillojnë të shfaqen, si p.sh. kanceri i gjirit që metastazohet në kockë. Kanceri i kockave nuk përfshin as kancerat e qelizave të gjaku-t si mieloma e shumëfishtë dhe leucemia, e cila shfaqet në palcën e kockës (materiali në formë xheli që gjendet brenda kockës).

Simptomat

Shenjat dhe simptomat e kancerit të kockave përfshijnë:

  • Dhimbje të kockave;
  • Enjtje dhe ndjeshmëri ndaj dhimbjes në zonat e prekura nga sëmundja;
  • Kocka që thyhen me lehtësi;
  • Lodhje;
  • Rënie e pavullnetshme në peshë.

Kur duhet të shkoni tek doktori

Lini takim me doktorin sapo ju apo fëmija juaj të shfaqë ndonjë shenjë apo simptomë që ju shqetëson.

Shkaqet

Nuk është ende e qartë se çfarë e shkakton shumicën e kancerave të kockave. Ajo që doktorët dinë është se kanceri i kockës fillon si një gabim në AND-në e qelizës. Ky keqformim i dikton qelizës që të rritet dhe ndahet në mënyrë të pakontrolluar.

Këto qeliza vazhdojnë të jetojnë në vend që të vdesin pas një kohe të caktuar.Qelizat e keqformuara formojnë një masë qelizore (tumor), që mund të pushtojë strukturat në afërsi të saj, ose zona të tjera të trupit.

Llojet e kancerit të kockave

Kancerat e kockave janë të ndarë në lloje të veçanta duke u bazuar tek tipi i qelizës ku ka filluar kanceri. Llojet më të zakonshme të kancerit të kockës janë:

  • Osteosarkoma - Osteosarkoma fillon në qelizat kockore dhe shfaqet më tepër tek fëmijët dhe të rinjtë;
  • Kondrosarkoma - Kondrosarkoma fillon në qelizat kërcore që gjenden zakonisht në fundet e kockave;
  • Sarkoma E. Wing - Nuk është ende e qartë se ku fillon të shfaqet Sarcoma E. Wing. Mendohet se mund të fillojë të shfaqet në materialin nervor që gjendet brenda kockës. Edhe ky kancer shfaqet më së shumti tek fëmijët dhe të rinjtë.

Shkaqet e mundshme

Nuk është e qartë se çfarë e shkakton kancerin e kockës, por doktorët kanë gjetur faktorë të caktuar që lidhen me një risk më të lartë për tu prekur nga sëmundja. Këta faktorë janë:

  • Sindroma gjenetike të trashëguara. Sindroma të caktuara gjenetike që trashëgohen në familje, rrisin rrezikun për kancer të kockës. Këto sindroma përfshijnë sindromën Li-Fraumeni dhe retinoblastomën e trashëguar;
  • Sëmundja e kockave që quhet Paget. Kjo sëmundje parakanceroze që prek të rriturit, e rrit rrezikun për tu prekur nga kanceri i kockës;
  • Terapitë me rrezatim të lartë për kancerin. Ekspozimi ndaj sasive të mëdha të rrezatimit, si ato që merren gjatë seancave me rrezatim kundër kancerave të ndryshëm, e rrit mundësinë për të shfaqur kancer të kockës në të ardhmen.

Përgatitjet për takimin tuaj me doktorin

Nëse keni ndonjë shenjë apo simptomë që ju shqetëson, hapi i parë që duhet të merrni është të lini takim me doktorin e familjes ose me një mjek të përgjithshëm.

Nëse doktori juaj dyshon se mund të keni kancer të kockës, ju do të drejtoheni tek një specialist. Kanceri i kockave trajtohet shpesh nga një grup specialistësh që përfshijnë:

  • Kirurg ortoped, i cili specializohet për të operuar mbi kancerat që prekin kockat (onkolog ortoped);
  • Doktorët që specializohen në trajtimin e kancerit me kemioterapi ose mjekime të tjera sistematike (onkolog);
  • Doktorët që specializohen në përdorimin e rrezatimit për të trajtuar kancerin (onkologë të rrezatimit);
  • Doktorët që analizojnë materialin e kancerit apo diagnostikojnë llojin specifik të tij;
  • Specialistët e rehabilitimit të cilët ju ndihmojnë të rikuperoheni pas operacionit.

Si të përgatiteni për takimin

Takimet janë të shkurtra dhe meqë ka shumë çështje për tu diskutuar, është mirë të jeni sa më të pregatitur. Mundohuni të:

  • Jeni në dijeni të çdo mase që mund t’ju duhet të merrni para se të lini takim me doktorin. Para se të lini takim sigurohuni që të pyesni nëse ka ndonjë gjë që mund të bëni më parë, si p.sh. të kufizoni dietën tuaj.
  • Shkruani të gjitha simptomat që mund të përjetoni duke përfshirë dhe ato që duket se nuk kanë lidhje me arsyen pse keni programuar takimin.
  • Shkruani informacionet kyç për veten, duke përfshirë çdo stres madhor që keni kaluar apo ndryshimet e mënyrës së jetesës që keni bërë kohët e fundit.
  • Krijoni një listë të të gjithë medikamenteve, vitaminave dhe suplementeve që keni marrë.
  • Merrni një pjesëtar të familjes apo mik me vete. Ndonjëherë është e vështirë të mbani mend të gjithë informacionet që ju jepen gjatë takimit. Personi që ju shoqëron mund të kujtojë ndonjë informacion që mund t’ju shpëtojë apo që e keni harruar.

Pyetjet që duhet të bëni

Koha që keni në dispozicion në takimin me doktorin është e limituar, kështu që një listë pyetjesh mund t’ju ndihmojë që ta bëni të vlefshme kohën e harxhuar.

Renditini pyetjet nga më e rëndësishmja tek më pak e rëndësishmja, nëse ju mbaron koha. Ja disa pyetje bazike që mund t’i bëni doktorit në rast se dyshoni për kancer të kokcës:

  • Çfarë lloji të kancerit të kockës kam?
  • Cila është faza e kancerit tim të kockës?
  • Cila është grada e sëmundjes sime?
  • Do më duhet të bëj ndonjë test shtesë?
  • Cilat janë mundësitë e trajtimit për kancerin tim të kockës?
  • Cilat janë mundësitë që trajtimi të kurojë kancerin tim të kockave?
  • Cilat janë efektet anësore dhe rreziqet e secilit tip të trajtimit?
  • A ka mundësi që trajtimi të bëjë që mos të kem më fëmijë?
  • Kam probleme të tjera shëndetësore? Si do të ndikojë trajtimi kundër kancerit tek këto probleme?
  • Cili trajtim mendoni se është më i mirë për mua?
  • Çfarë do ti këshillonit të bënte një mikut tuaj apo një pjesëtari të familjes në këtë situatë?
  • A duhet të drejtohem tek një specialist? Sa do më kushtojë e gjithë kjo, dhe a ka ndonjë siguracion që e mbulon?
  • Nëse do parapëlqeja një mendim më shumë, a mund të më rekomandoni një specialist?
  • A ka ndonjë broshurë apo material që mund të më këshilloni? Cilat faqe interneti më rekomandoni?

Gjatë takimit mos nguroni t’i bëni doktorit dhe pyetje të tjera përveç atyre që keni përgatitur.

Pritshmëritë e takimit

Me shumë mundësi doktori do t’ju bëjë një numër të madh pyetjesh. Nëse jeni të përgatitur për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, do përftoni më shumë kohë për të diskutuar pika të tjera që ju interesojnë më shumë. Doktori mund të bëjë këto pyetje:

  • Kur ka qenë hera e parë që keni ndjerë ndonjë simptomë?
  • Këto simptoma kanë qenë të vazhdueshme apo rastësore?
  • Sa të rënda janë simptomat tuaja?
  • Çfarë (nëse ka diçka të tillë) duket se i lehtëson simptomat?
  • Çfarë (nëse ka diçka të tillë) duket se i përkeqëson simptomat?

Testet dhe diagnoza

Testet imazherike që do t’i nështroheni varen nga situata juaj. Doktori mund të rekomandojë të bëni disa nga testet. Këto përfshijnë:

  • Skanimi i kockave;
  • Tomografi e kompjuterizuar;
  • Rezonancë magnetike;
  • Tomografi me shkarkim pozitronesh;
  • Rreze-x.

Marrja e një kampioni të materialit të tumorit për ta ekzaminuar

Doktori mund të rekomandojë një procedurë për të nxjerrë (biopsi) një kampion materiali nga tumori për teste laboratorike. Këto teste i tregojnë doktorit nëse tumori është kanceroz dhe nëse po, çfarë lloj kanceri keni.

Testet mund dhe të zbulojnë gradën e kancerit, që e ndihmon doktorin për të kuptuar sa agresiv është kanceri.

Llojet e procedurave të biopsisë që përdoren për të diagnostikuar kancerin e kockës përfshijnë:

  • Nguljen e një ageje përmes lëkurës tuaj dhe në tumor. Gjatë biopsisë me age, doktori do të fus një age të hollë përmes lëkurës tuaj dhe do ta drejtojë drejt tumorit. Kjo shërben për të marrë një kampion nga materiali i tumorit.
  • Operacion për të nxjerrë një kampion materiali për teste. Gjatë biopsisë operacionale doktori do të bëjë një inçizion të vogël në lëkurë dhe do të heqë gjithë tumorin (biopsi ekzicionale), ose vetëm një pjesë të tij (biopsi incizionale).

Për të përcaktuar llojin e biopsisë që ju duhet dhe veçoritë e mënyrës si do të kryhet, kërkohet një planifikim të kujdesshëm nga ekipi mjekësor.

Doktorët duhet ta kryejnë biopsinë në mënyrë të tillë që të mos ndërhyjë për të prishur punë në operacionin për heqjen e kancerit të kockës. Për këtë arsye, duhet t’i kërkoni doktorit tuaj t’ju këshillojë një ekip mjekësor me eksperiencë të gjatë në trajtimin e kancerit të kockës, para biopsisë.

Teste për të përcaktuar shtrirjen (shkallën) e kancerit të kockës

Në momentin që doktori e ka diagnostikuar kancerin, ai ose ajo do të punojë për të përcaktuar shtrirjen (shkallën) e sëmundjes. Gjendja e kancerit, udhëheq drejt llojit të trajtimit.

Ja shkallët e kancerit:

  • Shkalla 1. Në këtë shkallë kanceri është i kufizuar në kockë dhe nuk është shpërndarë në zonat e tjera të trupit. Pas testeve nëpërmjet biopsisë, kanceri në këtë shkallë konsiderohet i gradës së ulët dhe nuk është agresiv.
  • Shkalla 2. Edhe në këtë fazë kanceri nuk është përhapur në zonat e tjera të trupit, por testet e biopsisë tregojnë se kanceri është i një grade të lartë rrezikshmërie dhe është agresiv.
  • Shkalla 3. Në këtë shkallë kanceri shfaqet në dy apo më shumë vende në të njëjtën kockë. Testet e biopsisë tregojnë se në këtë fazë kanceri është si i gradës së lartë ashtu edhe i gradës së ulët.
  • Shkalla 4. Kjo shkallë e kancerit të kockës, tregon se kanceri është përhapur përtej kockës në zona të tjera të trupit si truri, mëlçia dhe mushkëritë.

Trajtimet dhe medikamentet mjekësore

Opsionet e trajtimit të kancerit të kockës varen nga lloji i kancerit që keni, shkalla e kancerit, shëndeti i përgjithshëm dhe preferenca juaj. Trajtimi i kancerit zakonisht përfshin operacion, kemioterapi, bombardim me rreze ose një kombinim të të gjithave.

Operacioni

Qëllimi i operacionit është të heqë të gjithë kancerin e kockës. Për të arritur këtë, doktorët heqin tumorin dhe një pjesë të materialit të shëndetshëm që e rrethon. Ja disa lloje operacionesh që trajtojnë kancerin e kockës:

  • Operacion për të hequr një gjymtyrë. Për kancerat e kockës që janë shumë të mëdhenj ose të shfaqur në një pikë të komplikuar të kockës, mund të nevojitet një operacion për të hequr të gjithë ose një pjesë të gjymtyrës (amputacion). Meqë trajtime të reja po zhvillohen dita ditës, kjo procedurë është bërë më pak e zakontë. Pas operacionit do ju duhet të mbani një gjymtyrë artificiale dhe të stërviteni, në mënyrë që të përmbushni detyrat e përditshme me gjymtyrën e re.
  • Operacion për të hequr kancerin, por duke shpëtuar gjymtyrën. Nëse kanceri ndahet nga nervat dhe materiali rrethues, kirurgu mund ta heq kancerin e kockës dhe të shpëtojë gjymtyrën. Meqë një pjesë e kockës hiqet bashkë me kancerin, kirurgu do jua zëvendësojë me material kockor nga një pjesë tjetër e kockave, ose me një protezë të veçantë metalike.
  • Operacion për heqjen e kancerit që nuk i prek gjymtyrët. Kur kanceri i kockës shfaqet në pjesë të tjera të trupit dhe jo në këmbë apo duar, kirurgu mund të heqë kockën dhe pak nga materiali rrethues (kur prek një brinjë), ose mund të heq kancerin dhe të ruajë sa më shumë që mundet nga kocka (kur kanceri prek shtyllën kurrizore). Edhe në këtë rast kockat e hequra mund të zëvendësohen me pjesë të kockës nga një zonë tjetër e trupit, ose me një protezë të veçantë metalike.

Terapia me rrezatim

Terapia me rrezatim përdor rryma të fuqishme energjie, si rrezet-x, për të shkatërruar qelizat e kancerit. Gjatë kësaj terapie , ju do të shtriheni në një shtrat ndërkohë që një makineri e posaçme lëviz sipër jush për të drejtuar rrymat e energjisë në pika ekzakte të trupit tuaj.

Terapia me rrezatim, zakonisht e këshilluar bashkë me kemioterapinë, shpesh përdoret para operacionit. Kjo mund të rrisë mundësinë që gjymtimi të mos jetë i nevojshëm.

Rrezatimi mund të përdoret dhe tek njerëzit me kancer kocke që nuk mund të hiqet me operacion. Mbas operacionit, rrezatimi mund të përdoret për të eleminuar çdo qelizë kanceroze që mund të ketë shpëtuar. Për njerëzit me kancer kockash të avancuar, terapia me rrezatim mund të përdoret për të mbajtur nën kontroll simptomat, si dhimbja.

Kemioterapia

Kemioterapie është një trajtim me medikamente mjekësore që përdor kimikatet për të vrarë qelizat e kancerit. Kemioterapia bëhet zakonisht nëpërmjet venës (intravenoze).

Kemioterapia, e kombinuar me terapinë me rrezatim, shpesh përdoret para operacionit për të ulur në maksimum masën e kancerit të kockës, në mënyrë që ta lejojë kirurgun të kryejë një operacion ku të shpëtojë kockën. Kemioterapia mund të përdoret dhe për njerëzit që kanë kancer të kockës që është shpërndarë përtej kockës, në zona të tjera të trupit.


Komentoni