Gastroenteritet janë një infeksion i zorrës që shkakton të vjella dhe diarre.
Gastroenteritet më së shumti shkaktohen nga viruset, por ato mund të shkaktohen edhe nga infeksionet me baktere dhe parazitët. Shkaku më i zakonshëm i gastroenteriteve tek fëmijët është rotavirusi.
Ashtu si në rastet e diarresë (feçe të ujshme dhe të shpeshta) dhe të të vjellave, fëmijët mund të kenë edhe ethe dhe dhimbje abdominale.
Shqetësimi kryesor është se fëmijët me gastroenterite mund të dehidratohen sepse ata humbasin shumë lëngje gjatë të vjellave dhe diarresë. Kjo ndodh më shumë tek bebet dhe fëmijët e vegjël.
Simptomat kryesore të dehidratimit janë etja dhe mos urinimi i shpeshtë. Shenjat e dehidratimit mund të përfshijnë tharje goje dhe sy të futur brenda. Shenjat e një dehidratimi të rëndë përfshijnë gjendjen e gjumit, humbjen e vëmendjes, frymëmarrjen e shpejtë, ftohjen e duarve dhe këmbëve.
Edhe sëmundje të tjera mund të sjellin të vjella e diarre, kështu që është e rëndësishme që fëmija të kontrollohet nga mjeku. Mjeku duhet të bëjë historikun e sëmundjes dhe të ekzaminojë fëmijën. Ai duhet të marrë një mostër për ta çuar në laborator për analiza.
Fëmijët me gastroenterit të lehtë mund të marrin kujdesin mjekësor edhe në kushte shtëpie. Trajtimi kryesor është që fëmija të vazhdojë të marrë lëngje për të zëvendësuar ato që humbet gjatë të vjellave dhe diarresë, si dhe të mirëmbajë kërkesat e zakonshme të trupit për lëngje.
Lëngjet e përshtatshme janë qumështi i gjirit, lëngjet orale rihidratuese (p.sh. Gastrolit, Repalit, Hidralit, Pedialit), ose lëngjet e pastra si lëngjet e frutave por që janë prodhuar në mënyrë të përshtatshme. Është mjeku ai që këshillon tipin e lëngjeve dhe sasinë e marrjes së tyre sipas rastit.
Fëmijët me gastroenterite të shpeshta mund të mbahen në gjendje spitalore për të marrë lëngje nëpërmjet tubave nasogastrikë (tub që futet nga hunda në stomak) ose lëngjeve intravenoze (nëpërmjet një gjilpëre në venë).
Fëmijët mund të marrin dieta që treten lehtë sapo të vjellat të kenë mbaruar. Ushqimi nuk duhet të ndalohet për më shumë se 24 orë.
Gastroenteritet mund të transmetohen lehtësisht tek të tjerët, kështu që fëmijët me gastroenterite nuk duhet të shkojnë në shkollë, kopësht ose të rrinë me fëmijët e tjerë.
Është e rëndësishme që të lahen duart në mënyrë të përshtatshme me sapun dhe ujë, kryesisht përpara përgatitjes së ushqimit dhe pas ndryshimit të pelenave për të parandaluar përhapjen e infeksionit.
Komentoni