Regjistrohu/Kyçu

Epilepsia

Epilepsia është një gjendje relativisht e njohur në të cilën aktiviteti kimik dhe elektrik i trurit humbasin kordinimin e zakonshëm për një periudhë të shkurtër kohore. Kjo periudhë e aktivitetit të pakoordinuar të trurit quhet krizë, mungesë përshtatjeje ose konvulsion.

Epilepsia nuk është e vetmja arsye që dikush të pësojë krizë-ethe, përdorimi i tepruar alkoolit, përdorimi i drogave ilegale, dëmtimet në kokë, infeksionet e trurit si meningjiti dhe një numër kushtesh të tjera munden gjithashtu të shkaktojnë kriza. Megjithatë, epilepsia karakterizohet nga krizat dhe përsëritja e tyre.

Tipat e ndryshme të krizave

Epilepsia mund të shkaktojë tipe të ndryshme krizash. Ato mund të ndahen në mënyrë të përgjithshme në kriza të përgjithshme dhe kriza parciale. Krizat e përgjithshme vijnë nga aktiviteti elektrokimik anormal që prek të tërë trurin në të njëjtën kohë. Krizat parciale vijnë nga aktiviteti jonormal i një pjese të caktuar të trurit dhe që më tej mund të përhapet në pjesë të tjera të tij.

Pjesa e trurit që përjeton aktivitetin jonormal elektrokimik përcakton edhe simptomat që ka personi.

Simptomat më të përgjithshme të epilepsisë janë:

  • Gjëndja e ndryshueshme e koshiencës;
  • Lëvizjet jonormale të trupit;
  • Ndjenjat që ndryshojnë; dhe
  • Ndryshimet në sjellje.

Disa kriza janë të lehta dhe mund të mos vihen re nga të tjerët, ndërsa disa tipe të tjera krizash, kryesisht ato që ndikojnë në lëvizjet e trupit, kanë shenja të dukshme.

kriza

Krizat e përgjithshme

  • Krizat toniko-klonike, përfshijnë të tërë trurin dhe bëjnë që personi të humbë koshiencën. Në fillim të krizës personi mund të bërtasë. Trupi i tij tenton të ngurtësohet, ai bie në tokë dhe ka të dridhura. Ata mund të nxjerrin shkumë nga goja e të vjella dhe mund të humbin kontrollin e jashtëqitjeve. Kriza zakonisht zgjat disa minuta dhe në këto minuta mund të ketë edhe momente që edhe frymëmarrja ndalohet, gjë që sjell një mavijosje të lëkurës. Pas krizës personi mund të ndihet konfuz dhe i rrituar, mund të ketë dhimbje koke dhe muskujsh. Ata rrinë të përgjumur për disa orë dhe duan të flenë.
  • Kriza e mungesës, më së shumti fillon në fëmijëri dhe rezulton në gjendje të ndryshueshme të koshiencës, zgjat disa sekonda, gjatë të cilave personi duket si “jashtë loje” dhe nuk shqetësohet për ato ç’ka ndodhin përreth. Qepallat e syve të tyre mund të lëvizin dhe sytë të rrotullohen. Me mbarimin e krizës personi rikthehet në aktivitetin normal, edhe pse mund të mos ketë kuptuar asgjë për ato që kanë ngjarë përreth tij gjatë kohës së krizës. Kjo mund të ndikojë në ndjekjen e shkollës nga ana e fëmijës, sidomos në rastet kur krizat e mungesës përsëriten disa herë në ditë. Edhe pse krizat e mungesës kanë shenja paraprake, ato prekin të tërë trurin dhe për këtë arsye konsiderohen si kriza të përgjithshme.
  • Krizat miklonike, shkaktojnë lëvizje shumë të shpejta, zakonisht në pjesën e sipërme të trupit, pa humbjen e koshiencës. Ato mund të bëjnë që personi të derdhë lëngjet që është duke mbajtur në dorë ose të bjerë nga karrigia. Një nga tipet e epilepsisë që shkakton kriza mioklonike është epilepsia mioklonike juvenile. Kjo gjendje prek kryesisht adoleshentët dhe shkakton kriza mioklonike menjëherë pas zgjimit.
  • Krizat tonike, janë rëndime të shkurtra të tërë trupit që shkaktojnë rënien e personit në tokë. Krizat tonike ndodhin tek njerëzit me epilepsi të rëndë.
  • Krizat atonike, shpesh fillojnë në vegjëli. Ato mund të shkaktojnë rënien e personave në tokë pasi të tërë muskujt e trupit e humbin tonin e tyre shumë shpejt (lëshohen). Nuk ka humbje të koshiencës, por ka të ngjarë që të ndodhin dëmtime në kokë gjatë rënies, dhe njerëzit që kanë kriza atonike mund të zgjedhin që të mbajnë helmetë mbrojtëse.

Krizat parciale

  • Krizat e thjeshta parciale, prekin vetëm një pjesë të trurit dhe zakonisht zgjasin më pak se një minutë. Simptomat janë në varësi të cilës pjesë të trurit prek kriza. Disa kriza pjesore përfshijnë vetëm ndjenjën jo të mirë të shijes ose aromës, lëshimin e muskujve, ndjenjën e frikës, ose ndjenja anormale si mpirje të pjesëve të ndryshme të trupit. Kriza të tjera përfshijnë lëshimin ose lëvizje anormale të grupeve të izoluara të muskujve, p.sh. mpirje të fytyrës. Në krizat pjesore personi nuk e humb koshiencën.
  • Krizat parciale komplekse, përfshijnë një gjendje të ndryshueshme të koshiencës. Personi mund të duket konfuz, me vështrim të përhumbur, nuk përgjigjet ose përgjigjet në mënyrë të papërshtatshme, dhe mund të ketë lëvizje të alterura si shkundje të rrobave, lëvizje të buzëve, mbllaçitje, murmuritje dhe të folur përçart.
  • Krizat e përgjithshme sekondare, ndonjëherë një krizë parciale mund të pasohet nga një krizë e përgjithshme, në të cilën simptomat e krizës parciale quhen aura ose periudha e lajmërimit që ndiqet nga kriza e përgjithshme (zakonisht krizë toniko-klonike). Kriza e mëpasshme quhet krizë sekondare e përgjithshme.

Disa njerëz mund të kenë epilepsi që karakterizohet nga më shumë se një tip krize.

Shkaqet e epilepsisë

Epilepsia zakonisht fillon në fëmijëri, por gjithashtu ajo mund të fillojë në çdo moshë.

Edhe pse në më të shumtën e gjysmës së njerëzve që kanë epilepsi shkaqet nuk mund të përcaktohen, ka disa shkaqe të cilat janë të përcaktueshme. Ato janë:

  • Predispozita për epilepsi në familje;
  • Dëmtimi i trurit në lindje;
  • Periudha anoksie (mungesë oksigjeni) që prekin trurin;
  • Aksidente që sjellin dëmtim të trurit; dhe
  • Infeksione, mpiksje gjaku ose sëmundje të tjera që prekin trurin.

Epilepsia që fillon në fëmijëri mund të shkaktohet nga dëmtime në lindje, anormalitete prezente që nga lindja ose infeksione të sistemit nervor qendror. Krizat që fillojnë në moshë më të rritur kanë më shumë mundësi që të shkaktohen nga sëmundje ose dëmtime që prekin trurin. P.sh. tek të moshuarit epilepsia mund të zhvillohet pas një infarkti.

Trajtimi i epilepsisë

Epilepsia trajtohet me ilaçe që jepen me recetë e që synojnë parandalimin e krizave. Shumë njerëz që kanë epilepsi i marrin këto ilaçe për shumë vite. Mjeku e redukton gradualisht dozën e ilaçeve kundër epilepsisë dhe mund edhe të ndalojë përdorimin e tyre disa vite pas krizave. Një jetë e balancuar dhe e shëndetshme është e rëndësishme për menaxhimin e epilepsisë.

Një opsion trajtimi është edhe operacioni, por ai është i këshillueshëm zakonisht për njerëzit që kanë epilepsi të rëndë. Megjithatë, operacioni është i rezervuar kur ilaçet dështojnë të kontrollojnë krizat dhe kur mjekët mund të identifikojnë në mënyrë preçize lokalizimin e aktivitetit jonormal elektrokimik në tru dhe zonën që mund të operohet në mënyrë të sigurt. Operacioni për epilepsinë nuk mund të konsiderohet me 100 % sukses.

Për shumë njerëz, epilepsia mund të kontrollohet mirë dhe mund të çojë në një aktivitet të plotë jetësor.


Komentoni