Regjistrohu/Kyçu

Alternativa të trajtimit të kancerit të lëkurës

Diskutimi i kancerit të lëkurës, zakonisht bëhet për melanomat (deri tani forma më e rrezikshme) dhe për kancerin e lëkurës që nuk është melanomë.

Trajtimi i këtij lloji të dytë të kancerit të lëkurës ka një shkallë të lartë suksesi, me kushtin që kanceri të jetë diagnostikuar në fazën e hershme të tij.

Nëse ju keni një histori të kësaj sëmundje, atëherë duhet të bëni kontrolle të rregullta të zonave të lëkurës të trajtuara më parë si edhe në zona të tjera të ndjeshme ndaj kancerit të lëkurës.

Diagnostikimi i kancerit të lëkurës

Mjeku juaj do të shikojë një plagë të dyshimtë (ose një njollë në lëkurë) dhe të ekzaminojë nyjat limfatike pranë saj. Nëse dyshon se mund të keni një kancer të lëkurës, do të sugjerojë një biopsi për të konfirmuar diagnozën. Kjo është një procedurë e shpejtë dhe relativisht e thjeshtë, e cila kryhet me anestezi lokale. Mund të jetë një biopsi e një grumbulli indesh me anën e së cilës mblidhet një pjesë e vogël e lëkurës ose një biopsi me prerje, në të cilën hiqet e gjithë zona e dyshuar.

Po ashtu, ju duhet t’u nënshtroheni testimeve suplementare, si biopsisë së nyjave limfatike, e cila tregon nëse kanceri është i përhapur.

Trajtimi

Gjatë planifikimit të trajtimit, mjeku juaj do të marrë parasysh një numër faktorësh, duke përfshirë:

• Llojin dhe madhësinë e kancerit;

• Vendndodhjen; dhe

• Nëse kanceri është përhapur në pjesë të tjera të trupit.

Kur mjeku ka mësuar se në çfarë faze ka përparuar kanceri, ai mund të vendosë për llojin e trajtimit që kërkohet në këtë rast. Shpesh trajtimi përfshin disa lloj procedura kirurgjikale ose radioterapi.

Llojet e trajtimit për formën jo melanomë të kancerit të lëkurës

Kirurgjia

Kur merret një biopsi, shpesh largohet tërë zona ku është shfaqur kanceri i lëkurës. Në këtë rast kjo është procedura e nevojshme e trajtimit. Por në disa raste, në qoftë se kanceri i lëkurës është i madh apo i përhapur, mund të nevojitet që të hiqet një sasi e madhe e lëkurës dhe mund të duhet lëkurë tjetër për ta mbuluar zonën.

Operacioni Moh

Një formë e specializuar e kirurgjisë të kancerit të lëkurës quhet operacioni Moh. Kjo metodë e kirurgjisë mikrografike mund të përdoret për të hequr forma të mëdha, të thella apo të përsëritura të kancerit. Ajo përdoret edhe për ato lloje kanceri që janë në zona të vështira për t’u trajtuar nga ana kirurgjikale. Procesi përfshin heqjen në mënyrë metodike të kancerit në pjesë të dukshme dhe një shtresë të hollë të indeve duke i ngjyrosur dhe duke i prerë indet e larguara në pjesë dhe duke i shënuar në një diagramë (harta e Moh). Më pas indet e larguara përgatiten dhe ekzaminohen në mikroskop (proces i cili mund të zgjasë rreth një orë), për t’u siguruar nëse janë larguar “rrënjët” e kancerit. Ky proces përsëritet deri sa të jenë larguar të gjithë qelizat e kancerit.

Krioterapia

Kjo teknikë përdor të ftohtin e skajshëm për të trajtuar sëmundjet para kanceroze të lëkurës, si dhe disa lloje të vegjël të kancerit të lëkurës. Përdoret azot i lëngshëm për të vrarë qelizat jo normale. Pacienti mund të ndjejë dhimbje dhe skuqje, e ndoshta në zonën e trajtuar mund të krijohet një flluskë. Në zonën e trajtuar mund të mbetet një shenjë e vogël.

Kyretazhi dhe djegia (e njohur edhe si diatermi)

Kjo është një tjetër formë e kirurgjisë në të cilën mjeku do ta mpijë zonën me anestezi lokale dhe, duke përdorur një instrument të mprehtë në formën e një luge (të quajtur curette), e gërryen zonën e prekur nga sëmundja. Më pas ai përdor një instrument tjetër i cili ushtron rrymë elektrike mbi plagë, për të kontrolluar hemorragjinë dhe për të vrarë qelizat e mbetura të kancerit. Kjo teknikë shpesh le një shenjë të sheshtë me ngjyrë më të çelët nga pjesa tjetër e lëkurës.

Radioterapia ose terapia me anë të rrezatimit

Në përgjithësi, kjo teknikë përdoret për llojet e kancerit që mund të jenë të vështira për t’u trajtuar me ndërhyrje kirurgjikale (p.sh. në qepallat ose në hundë), ose në rastet kur personi është i papërshtatshëm nga ana mjekësore për t’ju nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale. Trajtimi përdor rreze X me një nivel të lartë të energjisë për të shkatërruar qelizat e kancerit. Disa seanca gjatë disa javëve janë të nevojshme për t’i shkatërruar plotësisht qelizat e kancerit. Ky lloj trajtimi mund të krijojë  zona të skuqura dhe të lënduara, si edhe të shkaktojë ndryshime në ngjyrën e lëkurës dhe në cilësinë e saj në planin afatgjatë.

Kimioterapia (përdorim lokal)

Në këtë teknikë, përdoret një ilaç në formën e një kremi drejt e mbi plagën para kanceroze ose mbi njollat në lëkurë. Kremi përdoret dy herë në ditë për disa javë, me zona skuqet e më pas ashpërsohet dhe lekura plasaritet. Ky reaksion është i përkohshëm dhe lekura e mjekuar më pas bie e i le vend lëkurës së re.

Modifikuesit imunitarë

Imiquimod është një krem që mund të përdoret si një trajtim për disa lloje të kancerit të lëkurës (zakonisht tek karcinomat sipërfaqësore  të qelizave bazale). Ai stimulon sistemin imunitar për të identifikuar dhe shkatërruar qelizat e kancerit.

Terapia fotodinamike me lazer

Terapia fotodinamike me rreze lazer është përdorimi i kombinuar i rrezeve lazer dhe i medikamenteve për t’i bërë qelizat kanceroze të ndjeshme ndaj dritës. Më pas ato shkatërrohen nga përdorimi i rrezeve lazer mbi to. Ky trajtim është i përshtatshëm për plagë para-kanceroze dhe disa lloje kanceri sipërfaqësor të lëkurës.

Xheli jo-steroidal anti-inflamator

Diclofenac 3% xhel (Solaraze 3% Gel) mund të përdoret për trajtimin keratozës diellore (të quajtur edhe keratoze fotokimike), një lloj plage para kanceroze. Gjithsesi, ky nuk është një trajtim për kancerin e stabilizuar të lëkurës.

Prognoza

Trajtimi i kancerit të lëkurës ka një shkallë të lartë suksesi në qoftë se fillohet në fazë të hershme. Megjithatë, personat që janë trajtuar një herë për kancerin e lëkurës, kanë një rrezik më të lartë se mesatarja për zhvillimin përsëri të kancerit të lëkurës. Në këtë rast është shumë e rëndësishme që ata të kontrollohen rregullisht tek mjeku.


Komentoni