Regjistrohu/Kyçu

Sëmundja mendore: Trajtimet e disponueshme

Ekzistojnë trajtime të shumta dhe të ndryshme për sëmundjet mendore dhe trajtimi shpesh përfshin një kombinim të metodave, që mund të ofrohen nga profesionistë të ndryshëm. Në varësi të problemit, ju mund të merrni ndihmë nga doktori ose nga një profesionist shëndeti, siç është psikologu ose infermierja e shëndetit mendor. Trajtimi optimal zakonisht përfshin kujdesjen e të gjithë grupit.

Kujt duhet t’i drejtohem për trajtimin e sëmundjes mendore?

Nëse ju ose dikush që është afër jush është duke përjetuar një problem që mund të jetë i lidhur me shëndetin mendor, vendi i parë që duhet të shkoni për ndihmë duhet të jetë doktori ose qendra e kujdesit mendor. Mbështetja e komunitetit është një aspekt i rëndësishëm për trajtimin e sëmundjes mendore, mbështetja e vazhdueshme dhe trajtimet mund të sigurohen nga klinika e shërbimit të komunitetit.

Disa nga profesionistët e përfshirë në trajtimin e problemeve të shëndetit mendor janë:

Mjekët e përgjithshëm

Duhet të shihni mjekun tuaj të përgjithshëm, nëse jeni duke përjetuar probleme të tilla si depresion apo ankth. Një mjek i tillë mund t’ju ndihmojë që të përcaktoni nëse simptomat tuaja janë pjesë e një sëmundjeje mendore, ose nëse ato janë rezultat i një sëmundjeje me bazë fizike, një efekt anësor i një ilaçi që keni qenë duke marrë, ose një reagim normal për rrethanat aktuale të jetës. Nëse simptomat janë të shkaktuara nga një sëmundje mendore, mjeku mund t’ju japë disa ilaçe, t’ju sigurojë këshillim (disa mjekë kanë një interes të veçantë në këshillim), ose t’ju rekomandojë tek dikush që ka ekspertizë në problemin tuaj të veçantë. Mjekët kanë një rol të veçantë në sigurimin që një person me një sëmundje mendore të mbajë një shëndet të mirë fizik, madje edhe nëse sëmundja mendore është duke u trajtuar diku tjetër.

Psikiatri

Psikiatrët janë mjekë specialistë plotësisht të kualifikuar e të trajnuar për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve mendore. Psikiatrët punojnë në spitale, qendra komunitare të shëndetit mendor, por edhe në klinika private. Psikiatrët janë në gjendje të japin ilaçe dhe të monitorojnë efekti e tyre. Ato mund të ofrojnë edhe terapi psikologjike.

Psikologu dhe trajtimet e tjera

Psikologët dhe këshilltarët janë profesionistë që specializohen në këshillim dhe terapi ndërpersonale. Disa psikologë ndërmarrin trajnime shtesë për t’u bërë psikologë të klinikave speciale. Psikologët punojnë në qendrat shëndetësore të komunitetit dhe në klinikat private.

Shumë profesionist të tjerë, siç janë punonjësit socialë, infermierët e shëndetit mendor dhe terapistët profesionalë mund të kenë kualifikime të këshillimit dhe shpesh luajnë një rol të rëndësishëm në trajtimin e sëmundjeve mendore.

Trajtimet për sëmundjen mendore

Ilaçet

Ilaçet zakonisht u jepen personave me probleme mendore serioze dhe të vazhdueshme. Edhe pse ilaçet nuk janë një kurë për sëmundjet mendore, ato mund të lejojnë që shumë njerëz të kenë një përmirësim të ndjeshëm në jetë. Për disa njerëz, ilaçi është një zgjidhje afatshkurtër, që është përdorur për të ndihmuar gjatë një krize të menjëhershme. Disa njerëz mund të kenë nevojë për trajtime të vazhdueshme, afatgjatë. Ilaçet për sëmundjen mendore përfshijnë:

  • Antipsikotikët, që janë përdorur për të trajtuar sëmundje, siç është skizofrenia;
  • Antidepresantët, që janë përdorur për të trajtuar depresionin dhe disa çrregullime të ankthit;
  • Stabilizuesit e humorit, që mund të merren për të trajtuar çrregullimet bipolare; dhe
  • Ilaçet kundër ankthit, që mund të merren në baza afatshkurtër për ataket akute ose ankthin.

Trajtimet psikologjike

Trajtimet “komunikuese”, ose terapitë psikologjike, rreken të ndihmojnë njerëzit për të kuptuar bazat e problemit të tyre dhe mënyrën e kapërcimit të problemit. Psikoterapia është efektive për një sërë problemesh të shëndetit mendor dhe mund të kombinohet me forma të tjera të terapisë, siç janë ilaçet.

Ekzistojnë shumë trajtime psikologjike dhe disa janë më të njohura dhe më gjerësisht të përdorura sesa të tjerat. Disa nga terapitë e disponueshme përfshijnë të mëposhtmet:

Terapia kognitive-biheviorale

Ky trajtim është i bazuar në idenë se mënyra sesi ne ndihemi dhe sillemi varet nga mënyra sesi ne mendojmë dhe interpretojmë eksperiencat. CBT do të ndihmojë për të zbuluar sesi mendimet, ndjenjat dhe sjelljet mund të mbërthehen në modele të padobishme.

Identifikimi dhe sfidimi i modeleve negative të të menduarit dhe zhvillimi i mënyrave alternative të të menduarit dhe të vepruarit, mund të reduktojnë stresin dhe përmirësojnë aftësitë përballuese dhe të vetërespektit. Një varg sëmundjesh, duke përfshirë depresionin, çrregullimet e ankthit dhe skizofreninë, mund të trajtohen në mënyrë efektive me këtë lloj terapie.

Këshillimet

Gjatë këshillimit do të flisni rreth vështirësive me një këshilltar profesionist. Këshilluesi do t’ju dëgjojë dhe do t’ju mbështesë dhe mundet gjithashtu që t’ju japë këshilla sesi të përballoni problemet në një mënyrë praktike.

Këshillimet mbështetëse janë të përshtatshme për trajtimin e formave të buta të sëmundjes mendore, të tilla si reaksionet e pikëllimit. Zgjidhja e problemeve, ku njerëzit mësojnë mënyrat më të mira që kanë të bëjnë me situatat në dukje të vështira, janë një formë shumë e dobishme këshillimi. Caktimi i aktivitetit, që përfshin kohën e të ushtruarit, aktivitetet e këndshme dhe të qëllimshme, janë një tjetër teknikë.

Psikoterapia interpersonale

Ky lloj trajtimi është gjetur për të trajtuar në mënyrë efektive një sërë sëmundjesh mendore, duke përfshirë depresionin e butë në të moderuar, por nuk është përdorur për të trajtuar sëmundjen serioze siç është skizofrenia.

Ajo ekzaminon sesi ju lidheni me personat e tjerë, dhe sesi kjo ndikon në mënyrën sesi ju mendoni, ndjeni ose veproni. Ju punoni me terapistin për të zhvilluar mënyra më pozitive të bashkëveprimit, si dhe duke forcuar aftësitë e komunikimit dhe të vetërespektit dhe kjo formë e terapisë mund të ndihmojë në përmirësimin e marrëdhënieve ndërpersonale.

Psikoanaliza

Kjo është disi e ngjashme me këshillimin që përfshin komunikimin me një profesionist, por ajo është shumë më intensive. Një psikoanalist do t’ju inkurajojë për të eksploruar ndjenjat tuaja në thellësi, veçanërisht në lidhje me mënyrën se si këto ndjenja lidhen me përvojat që keni pasur në fillim të jetës tuaj.

Terapia e grupit

Ndonjëherë njerëzit që ndajnë një problem të përbashkët, p.sh. vetëdëmtimin, abuzimin e substancave ose çrregullimet sociale të ankthit mund të përfitojnë nga puna përbashkët në grupe të vogla, për të zgjidhur vështirësitë e tyre në një mjedis mbështetës nën drejtimin e një profesionisti.

Pyetja më e rëndësishme që  mund t’i bëni vetes nëse vendosni të takoni një terapist psikologjik është nëse do të jeni në gjendje që të zhvilloni një marrëdhënie të mirë me to. Nëse ndërtoni një raport me terapistin dhe keni një qëndrim pozitiv ndaj trajtimit, trajtimi do të ketë më shumë mundësi për t’u përfituar nga ju. Duhet gjithashtu të pyesni rreth terapive trajnuese, eksperiencave dhe qasjes së trajtimeve që ato preferojnë.

Është e rëndësishme për të kuptuar se këshillimi nuk është një përvojë pasive. Përveç terapisë së shkurtër mbështetëse, këshilluesi nuk është aty thjesht për t’ju dëgjuar dhe për t’ju bërë që të ndiheni më mirë. Ka seanca që ju bëjnë që të ndiheni të acaruar apo edhe të zemëruar. Me CBT-në në mënyrë të veçantë, do t’ju kërkohet për të bërë detyrat e shtëpisë. Për të marrë përfitimin maksimal nga këshillimi, duhet të angazhoheni në këtë proces.

Nëse doktori ju rekomandon terapinë këshilluese ose psikologjike, duhet gjithmonë ta pyesni nëse do të kenë ndonjë kosto të përfshirë dhe se çfarë do të jetë. Vizitat tek psikologët dhe klinikat psikologjike mund të çojnë në një diskutim nëse preferohet një psikolog, një psikiater ose një specialist tjetër. Mjeku do t’ju hartojë një plan të detajuar të kujdesit shëndetësor mendor para se të drejtoheni tek një psikolog.

Trajtimet e tjera për sëmundjen mendore

Terapia elektrokonvulsive (ECT) është përdorur edhe në trajtimin e sëmundjeve të caktuara mendore. Ky trajtim është rezervuar zakonisht për njerëzit me depresion shumë të rëndë që janë rezistent ndaj trajtimeve të tjera, sidomos aty ku mjekët besojnë se dikush mund të jetë në rrezik të vetëvrasjes. Ajo përfshin dhënien e një anestezie të përgjithshme dhe relaksuese të muskujve. Ajo mund të jetë shumë efektive për njerëzit të cilët nuk kanë qenë të ndihmuar nga trajtime të tjera. ECT mund të jepet vetëm në rast se personi pëlqen për të patur trajtimin.

Trajtimi i shtrimit në spital

Pjesa më e madhe e trajtimeve për njerëzit me semundje mendore do të kryhet në komunitet. Trajtimi në spital zakonisht është kërkuar vetëm kur një person është shumë i sëmurë dhe ka nevojë për trajtim intensiv dhe mbikëqyrje. Në shumicën e rasteve, trajtimi në spital është i nevojshëm vetëm për disa javë.

Cili trajtim është i drejtë për mua?

Për shkak se gama e opsioneve për trajtimin e problemeve të shëndetit mendor mund të duket konfuze, gjithmonë duhet të pyesni doktorin. Gjëja më e rëndësishme është që mjeku të kuptojë simptomat, në mënyrë që t’ju këshillojë më pas mbi trajtimin e përshtatshëm.

Trajtimi do të përfshijë një sërë qasjesh – mënyrën e jetesës, këshillimin dhe ndoshta mjekimin, dhe mund të përfshijë më shumë se një profesionist të kujdesit shëndetësor.


Komentoni