Regjistrohu/Kyçu

Astma – qumështi dhe nënproduktet e tij

Ekziston një pikëpamje e përgjithshme se njerëzit me astmë duhet të shmangin qumështin dhe nënproduktet e tij, pasi thuhet se ato nxitin prodhimin e mukusit dhe rrjedhimisht shkaktojnë sulmet e astmës. Ky perceptim daton më shumë se 2000 vjet më parë, kur disa sisteme të mjekësisë alternative i atribuan konsumimit të qumështit, prodhimin e tepërt të mukusit.

Sipas specialistëve më me emër në fushën e imunologjisë klinike dhe alergjisë, është e rrallë që qumështi dhe nënproduktet e tij të shkaktojë një sulm të astmës.

Alergjitë e vërteta nga qumështi i lopës, shkaktohen nga një proteinë e qumështit dhe mund të shkaktojnë një shumëllojshmëri simptomash, duke përfshirë urtikarien, ekzemën, vjelljen, diarrenë dhe frymëmarrjen e shpejtë.

Si ndikojnë në astmë qumështi dhe nënproduktet e tij?

Kur qumështi konsumohet ai përkohësisht do të trashë pështymën në gojë, një ndjesi që shumë njerëz e ngatërrojnë me prodhimin e mukusit të frymëmarrjes. Kjo ndjesi nuk është për shkak të rritjes së prodhimit të mukusit – ndodh nga përbërja kremoze e vetë lëngut, ashtu sikundër ndodh dhe me lëngje të tjera që kanë strukturë të ngjashme.

Nuk ka prova klinike për të treguar se zvogëlimi ose ndalimi i konsumit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, do të ndihmojë në lehtësimin e simptomave të astmës. Simptomat e astmës kryesisht  shkaktohen nga substancat që thithen (të tilla si alergjenët pluhur), jo ato që janë të ngrënshëm.

Disa njerëz mund të kolliten pasi kanë pirë qumësht të ftohtë, por kjo zakonisht ndodh për shkak të frymëmarrjes në ajër të ftohtë gjatë pirjes. Ngrohja e qumështit mund të ndihmojë.

Astma dhe dieta juaj

Reagimet negative nga çdo ushqim, duke përfshirë nënproduktet e qumështit, janë relativisht të rralla në njerëzit me astmë – më pak se 5% të njerëzve me astmë janë të prekur nga ushqimet, pijet apo kimikatet e ushqimeve.

Nevoja për kalcium

Qumështi dhe nënproduktet e tij janë një burim i madh i kalciumit, vitaminës A dhe B12, riboflavinës dhe proteinave. Më shumë se gjysma e kalciumit të rekomanduar në dietën ditore për të rriturit, merret nëpërmjet qumështit dhe nënprodukteve të tij.

Specialistët e fushës raportojnë se shumë njerëz me astmë në mënyrë të panevojshme privojnë veten nga një burim i pasur dhe ushqyes i rëndësishëm, duke kufizuar qumështin dhe nënproduktet e tij. Qumështi dhe nënproduktet e tij, të cilët janë vendimtare për zhvillimin e kockave, rritjen dhe për shëndetin e përgjithshëm, rekomandohen si pjesë e një diete të shëndetshme dhe të ekuilibruar për shumicën e njerëzve me astmë.

Nëse ju vendosni për të shmangur nënproduktet e qumështit për shkak të shqetësimeve në lidhje me astmën tuaj, është e rëndësishme për të identifikuar zëvendësues të përshtatshëm në mënyrë që të siguroheni se ju apo femija juaj do të merrni ushqyesit e nevojshëm.

Ndërsa qumështi dhe nënproduktet e tij janë burim i pasur i kalciumit, ai gjendet dhe në:

  • Perimet jeshile si bok choy dhe brokoli;
  • Salmonin e konservuar me kocka dhe sardelet e konservuara;
  • Pije të sojës të pasura me kalcium;
  • Tofu i përpunuar me kalcium; dhe
  • Bajame dhe drithëra të pasuruara me kalcium.

Organizatat kryesore mjekësore këshillojnë që mënyra më e mirë për të marrë të gjithë ushqyesit që ju nevojiten, duke përfshirë edhe kalciumin, është me anë të konsumimit të një diete të ekuilibruar. Megjithatë në disa situata, një suplement kalciumi mund të nevojitet.

Flitni me mjekun tuaj

Nëse keni astmë dhe jeni të shqetësuar në lidhje me efektin e qumështit dhe të produkteve të qumështit, bisedoni me mjekun tuaj.

Me përjashtim të rastit kur ju jeni testuar dhe diagnostikuar nga një mjek specialist i cili ka identifikuar se astma juaj shkaktohet nga një alergji ndaj qumështit dhe nënprodukteve të tij, nuk është e nevojshme për ti eliminuar ato nga dieta juaj.


Komentoni