Regjistrohu/Kyçu

Ethet e gjëndrave

Ethet e gjëndrave (të njohura si mononukleoza infektive, ose mono infektive) janë sëmundje infektive të shkaktuara nga një virus që quhet Epstein-Barr (EBV). Ethet e gjëndrave janë  një sëmundje e zakonshme që quhet edhe “sëmundja e puthjes” sepse virusi përhapet nëpërmjet pështymës dhe shpesh prek adoleshentët e të rriturit në moshë të re.

Simptomat e etheve të gjëndrave

Simptomat e etheve të gjëndrave, që zakonisht duken 4-8 javë pas infektimit me EBV, përfshijnë:

  • Dhimbje fyti;
  • Zmadhim të gjëndrave limfatike (zakonisht në qafë);
  • Ethe;
  • Lodhje;
  • Bajame të fryra;
  • Dhimbje koke;
  • Djersitje gjatë natës;

Këto janë simptomat e zakonshme tek adoleshentët dhe të rriturit në moshë të re,  që kanë ethe të gjëndrave. Të rinjtë e prekur me ethe të gjëndrave, shpesh nuk kanë simptoma ose kanë fare pak prej tyre.

Simptoma të tjera

Ndonjëherë mund të keni skuqje të lehtë të lëkurës, nga përdorimi i gabuar i antibiotikëve (amoksicilinë dhe ampicilinë) pasi simptomat janë shumë të ngjashme me atë që shkakton infeksioni bakterial i grykëve.

Në rreth 50 % të njerëzve me ethe të gjëndrave, shpretka (një organ i madh që gjendet në anën e majtë, lart abdomenit) fillon dhe zmadhohet. Një shpretkë e zmadhuar nuk shkakton simptoma, por në raste të pakëta ajo mund të ndërpresë funksionin.

Disa raste të etheve të gjëndrave mund të shoqërohen edhe me inflamacion të mëlçisë dhe verdhëz (zverdhje e pjesës së bardhë të syve dhe lëkurës).

Shkaku

Ethet e gjëndrave shkaktohen nga një infeksion, me virusin Epstein-Barr (EBV). Virusi transmetohet nëpërmjet pështymës dhe mund të kalohet nga personi në person nëpërmjet puthjes. Mund të përpahet edhe përmes teshtimës, kollitjes dhe përdorimit të përbashkët të enëve të ngrënies ose pirjes.

Shumë të rritur ekspozohen gjatë jetës së tyre me EBV dhe janë imunë ndaj etheve të gjëndrave. Pjesa më e madhe e njerëzve  infektohen me EBV kur janë të vegjël dhe përjetojnë pak ose nuk përjetojnë simptoma, kjo bën që ata të mos shqetësohen nëse ekspozohen ndaj kësaj sëmundjeje.

Testet

Ethja e gjëndrave mund të diagnostikohet me një test të thjeshtë gjaku që quhet monospot test, që përcakton praninë e antitrupave kundër virusit Epstein-Barr. Megjithatë, monospot test mund të mos përcaktojë infeksionin gjatë javës së parë të sëmundjes. Nuk ka teste të tjera që mund të përdoren për ethen e gjëndrave në fillesat e sëmundjes.

Mjeku mund të kërkojë bërjen e analizave të plota të gjakut për të parë nivelin e qelizave të bardha. Një rritje e numrit të qelizave të bardha (limfocite, kryesisht të limfociteve atipike) është një tregues i etheve të gjëndrave.

Trajtimi për ethet e gjëndrave

Për ethet e gjëndrave nuk ka trajtim specifik, por pushimi dhe marrja e fluideve janë të rëndësishme për të përmirësuar gjendjen. Gargara me kripë disa herë në ditë, mund të ndihmojë në përmirësimin e acarimit të grykës.

Ethet e gjëndrave janë një sëmundje virale, kështu që antibiotikë nuk ndihmojnë (antibiotikët përdoren në trajtimin e infeksioneve bakteriale).

Për trajtimin e dhimbjeve dhe etheve mund të përdoren lehtësuesit e dhimbjeve, si paracetamoli dhe ilaçet josteroidale anti-inflamatore (IJSAI). Aspirina nuk duhet t’u jepet fëmjëve nën 16 vjeç, sepse mund të shkaktojë përkeqësimin  e gjendjes së shëndetit, e cila njihet si sindroma Reye.

Njerëzit me ethe të gjëndrave ndonjëherë trajtohen me kortikosteroide, për të reduktuar acarimin e fortë të grykëve dhe bajameve.

Rimarrja e vetes

Shumica e njerëzve me ethe të gjëndrave nuk ndihen mirë për një a dy javë, por lodhja dhe acarimi i gjëndrave limfatike mund të zgjasë edhe më shumë. Në fakt, mund të duhen disa muaj derisa të ndiheni totalisht mirë. Është e rëndësishme që të mos nxitoni për t’u kthyer në normalitet.

Sportet e kontaktit, aktivitetet që kërkojnë energji dhe ngritja e peshave, duhet që të evitohen për të paktën një muaj sepse ka rrezik këputjeje të shpretkës edhe tek njerëzit që nuk kanë zmadhim të dallueshëm të saj.

Parandalimi

Nëse keni ethe të gjëndrave ju mund të parandaloni shpërndarjen e infeksionit duke kufizuar kontaktet me të tjerët. Evitoni ndarjen e ushqimeve, pijeve dhe pajisjeve me të tjerët. Edhe larja e shpeshtë e duarve parandalon përhapjen e sëmundjes.

Virusi Epstein-Barr, mund të gjendet në pështymë shumë muaj pas infeksionit. Në fakt, pasi jeni infektuar me virusin EBV, ai qëndron në trupin tuaj përgjatë gjithë jetës. Shumë njerëz që kanë patur ethe të gjëndrave, vazhdojnë të kenë në pështymën e tyre virusin. Për këtë arsye nuk ka rekomandime specifike që fëmijët dhe adoleshentët me ethe të gjëndrave të qëndrojnë larg nga shkolla ose nën kujdesin ditor shëndetësor. Megjithatë, ata duhet të qëndrojnë në shtëpi deri sa të ndihen më mirë.


Komentoni