Regjistrohu/Kyçu

Gonorre-a

Është një sëmundje ngjitëse e transmetuar më shpesh me anë të kontaktit seksual me një person të infektuar. Gjithashtu Gonorre-a mund të përhapet nga kontakti me lëngjet trupore të infektuara, kështu që një nënë mund t’ia kalojë infeksionin fëmijës së saj gjatë lindjes. Edhe gratë edhe burrat mund ta marrin Gonorrea-n pasi infeksioni shpërndahet lehtë dhe shfaqet më shpesh tek personat që kanë shumë partnerë në seks.

Gonorre-a shkaktohet nga Neisseria gonorrhoeae, një bakter që mund të rritet dhe shumëzohet lehtë në membranat mukoze të trupit. Bakteret e Gonorre-as mund të rriten në zonat e ngrohta dhe të lagështa të traktit riprodhues, duke përfshirë qafën e mitrës, mitrën, tubat fallopianë (kanalet e vezëve) tek gratë dhe në ureter (tubin që mbart urinën nga fshikëza dhe e nxjerr jashtë trupit) tek gratë dhe burrat. Bakteret mund të rriten edhe në gojë, fyt dhe anus.

Gonorrea është një sëmundje shumë e përhapur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas statistikave çdo vit janë rreth 700 000 raste të reja të raportuara. Adoleshentët seksualisht aktivë kanë përqindjen më të lartë në infeksionet e raportuara.

Si e mësoj nëse kam Gonorrea?

Jo të gjithë njerëzit e infektuar me Gonorrea kanë simptoma, kështu që të diturit se kur duhet kërkuar trajtim mund të jetë i ndërlikuar. Kur shfaqen simptomat, ato janë shpesh midis 2 dhe 10 ditë pas ekspozimit, por mund të kalojnë edhe 30 ditë që të zhvillohen dhe përfshijnë sa më poshtë:

Simptomat e Gonorreas tek gratë

  • Shkarkime vaginale në ngjyrë të gjelbër apo të bardhë;
  • Dhimbje në pjesën e poshtme të barkut apo në pelvis;
  • Djegie gjatë urinimit;
  • Konjuktivit (sy të skuqur dhe që kruhen);
  • Hemarrogji midis periodave;
  • Njolla pas marrëdhënieve seksuale;
  • Ënjtje të vulvës (vulvitis);
  • Djegie të fytit (për shkak të seksit gojor);
  • Gjëndra të ënjtura në fyt (për shkak të seksit gojor).

Tek disa gra, simptomat janë aq të buta sa kalojnë pa u vënë re.

Shumë gra që kanë shkarkime nga Gonorrea mendojnë se kanë infeksione mykotike dhe mjekohen vetë me ilaçe të marra pa recetë. Meqenëse shkarkimi vaginal mund të jetë një shenjë e një numri problemesh të ndryshme, gjithmonë më e mira është t’i drejtoheni mjekut për t’u siguruar për diagnozën dhe mjekimin e duhur.

Simptomat e Gonorreas tek burrat

  • Shkarkime në ngjyrë të verdhë në të gjelbër ose të bardhë nga penisi;
  • Djegie gjatë urinimit;
  • Djegie në fyt (për shkak të seksit gojor);
  • Testikuj që dhëmbin apo që ënjten;
  • Gjëndra të ënjtura në fyt (për shkak të seksit gojor).

Tek burrat, simptomat zakonisht shfaqen 2 deri 14 ditë pas marrjes së infeksionit.

Si diagnostikohet Gonorre-a?

Për të diagnostikuar Gonorre-an mjeku juaj do të përdorë një tampon për të marrë një kampion të lëngjeve nga ureteri tek burrat ose nga qafa e mitrës tek gratë. Kampioni dërgohet në laborator për t’u analizuar. Gjithashtu mund të merret kulturë nga fyti apo anusi për të parë nëse infeksioni është në fyt apo në anus. Ka edhe teste të tjerë të cilët kontrollojnë një kampion të urinës për të parë nëse ka prani të baktereve. Mund t’ju duhet të prisni disa ditë që të vijnë përgjigjet nga laboratori.

Gonorrea dhe klamidia, e cila është një sëmundje tjetër e zakonshme që mund të transmetohet seksualisht, shpesh shfaqen të dyja bashkë, kështu që ju mund të testoheni dhe të trajtoheni për të dyja.


Komentoni