Regjistrohu/Kyçu

Klamidia

Klamidia është një sëmundje seksualisht e transmetueshme e shkaktuar nga bakteri Chlamydia trachomatis. Ajo prek meshkujt e femrat dhe përhapet nëpërmjet kryerjes së marrëdhënieve seksuale me një person të infektuar.

Cilat janë pasojat e Klamidias?

Një problem i madh me klamidian është që ajo shpesh nuk shfaq simptoma dhe nëse lihet pa zbuluar dhe pa trajtuar mund të ndodhin komplikacione. Njerëzit që kanë klamidia munden akoma të transmetojnë infeksionin edhe nëse ato vetë nuk kanë simptoma.

Kur simptomat shfaqen, ato zakonisht bëhen të dukshme ndërmjet ditës së 4 dhe të 28 pas kryerjes së marrëdhënies seksuale me një person të infektuar. Gratë me klamidia mund të vënë re ndryshime në periodat e tyre, si: gjakderdhje ose dhimbje gjatë ose pas seksit, dhimbje gjatë urinimit, dhimbje barku ose ndryshime në shkarkimet vaginale.

Gratë me klamidia të patrajtuar, janë në rrezik të komplikacioneve, siç është: sëmundja inflamatore e pelvikut, dhimbje kronike të pelvikut, shtatzëni ektopike (në të cilën shtatzënia zhvillohet jashtë uterusit, si në tubat fallopianë) dhe infertiliteti, si rezultat i infeksionit në tubat fallopianë.

Meshkujt me klamidia janë në rrezik të infeksionit që mund të rezultojë në: ënjtje dhe në lëndim të testikujve, shkarkim nga uretra (tubi në të cilën ndodh urinimi), vështirësi në urinim ose dhimbje gjatë urinimit.

Kryerja e seksit oral ose anal me dikë që është i infektuar, mund të rezultojë në infeksionin e rektumit, duke shkaktuar dhimbje dhe shkarkim të qelbit ose mukusit.

Gratë shtatzëna që janë të infektuara mund t’a kalojnë infeksionin e tyre gjatë lindjes tek fëmija, gjë e cila mund të sjellë zhvillimin e pneumonisë tek fëmija.

Si mund t’a di nëse kam Klamidia?

Nëse ju nuk keni simptoma, por jeni të shqetësuar që ju mund të keni klamidia, flisni me mjekun tuaj. Në pjesën më të madhe të rasteve, mjeku mund të bëjë një analizë urine për të testuar infeksionin.

Çfarë duhet të bëj nëse jam diagnostikuar me Klamidia?

Nëse mjeku juaj zbulon se keni klamidia, mos u shqetësoni, infeksioni mund të trajtohet shumë lehtë me antibiotikë. Ashtu sikundër klamidia është transmetuar nëpërmjet një seksi të pambrojtur, mjeku juaj mund t’ju sugjerojë që të kontrolloheni për sëmundje të tjera seksualisht të transmetueshme dhe gjithashtu edhe partneri juaj duhet të trajtohet.

Është e rëndësishme për të lajmëruar këdo partner që ju mund të keni patur pasi mund të jetë nën rrezikun e klamidias. Mbani mend, ato mund të mos shfaqin simptoma të klamidias, por nëse nuk trajtohen mund të zhvillojnë semundje serioze, siç është: sëmundja inflamatore e pelvikut .

Ju gjithashtu mund të parandaloni të infektuarit me klamidia (dhe sëmundje të tjera seksualisht të transmetueshme) duke përdorur prezervativin gjatë marrëdhënieve seksuale, veçanërisht nëse keni më shumë se një partner.

Mbani mend, shumë njerëz me klamidia nuk e dinë që e kanë atë.


Komentoni