Regjistrohu/Kyçu

Gjumi

Me rritjen e moshës, pjesa më e madhe e njerëzve kanë nevojë për më pak gjumë. Nevoja për gjumë ndryshon nga individi në individ dhe e vetmja mënyrë për të treguar nëse keni fjetur mjaftueshëm, përcaktohet nga mënyra sesi ndiheni kur zgjoheni. Nëse ndiheni mirë, atëhere edhe sasia e gjumit që ju keni marrë është e mjaftueshme.

Mosfjetja (pagjumësia) është një problem që  i prek të gjithë. Meraku, zemërimi dhe dhimbjet janë faktorë që mund ta shkaktojnë atë.

Disa njerëz që nuk arrijnë të kontrollojnë  këto emocione, vuajnë nga pagjumësia kronike.  Ata do të përdorin shpesh medikamente, të tilla si qetësues apo pilula gjumi, për të luftuar pagjumësinë. Nëse është e mundur, këto barna duhet të shmangen për të gjithë. Ato mund të prodhojnë varësi dhe mund të kenë efekte anësore të zgjatura, që ndërhyjnë në jetën e përditshme (si p.sh. ngarja e makinës të nesërmen etj).

Duke parë që shumë persona kanë probleme me gjumin dhe duke parë nevojën për jetë më të qetë dhe më të shëndetshme, shumë studime janë bërë për të arritur deri në konkluzion dhe për të nxjerrur disa këshilla për një gjumë më të mirë që do të paraqiten më poshtë.

Nëse keni çdo ditë vështirësi me gjumin, më poshtë janë disa këshilla që mund t’ju ndihmojnë :

  • Mos u shtrini në krevat derisa të ndiheni të lodhur;
  • Bëni diçka çlodhëse, si p.sh. të lexuarit ose të dëgjuarit e muzikës përpara se të shtriheni;
  • Mbajeni krevatin vetëm për gjumë dhe për marrëdhënie seksuale me partnerin. Mos u shtrini në krevat dhe më pas të shihni televizor;
  • Shmangni sasitë e mëdha të ushqimeve, ushtrimet e forta ose punën e lodhshme përpara se të shkoni për të fjetur;
  • Sigurohuni që të ndiheni rehat në krevat. Shkoni në tualet nëse duhet dhe nëse ndiheni të uritur, merrni një vakt të lehtë ose një gotë qumështi të ngrohtë;
  • Ushtrohuni gjatë ditës dhe mundohuni që të mos bëni dremitje. Në këtë mënyrë, keni më shumë mundësi që të jeni të lodhur kur shkoni për të fjetur;
  • Nëse nuk ju ka zënë gjumi brenda gjysmë ore, ngrihuni dhe bëni diçka, si p.sh. lexoni. Mos u shtrini në krevat duke u shqetësuar që ju nuk mund të flini, pasi kjo është një nga faktorët e pagjumësisë.

Këto dhe sugjerime të tjera që mjeku mund të ketë, janë  disa nga metodat për të luftuar pagjumësinë kronike dhe disa nga  mënyrat për shmangien e  përdorimin të rregullt të qetësuesve apo pilulave të gjumit.


Komentoni