Regjistrohu/Kyçu

Shëndeti dentar dhe shtrëngimi i dhëmbëve

Shumica e njerëzve ndoshta i shtrëngojnë dhe fërkojnë dhëmbët herë pas here. Fërkimi rastësor i dhëmbëve, i quajtur bruksizëm, zakonisht nuk shkakton dëme, por kur ndodh në mënyrë të rregullt, dhëmbët mund të dëmtohen dhe mund të lindin komplikime të tjera të shëndetit oral.

Edhe pse fërkimi i dhëmbëve mund të shkaktohet nga stresi dhe ankthi, mund të ndodh shpesh gjatë gjumit dhe ka më shumë gjasa të shkaktohet nga një kafshim i çrregullt i nofullave ose nga një dhëmb që mungon ose është i shtrembër.

Si mund ta di nëse i copëtoj dhëmbët duke i fërkuar?

Meqë copëtimi ndodh shpesh gjatë gjumit, shumica e njerëzve s’janë në dijeni se i fërkojnë dhëmbët. Megjithatë, një dhimbje e lehtë koke e vazhdueshme ose nofulla të lënduara, janë simptoma treguese të bruksizmit. Shumë herë njerëzit e mësojnë se i fërkojnë dhëmbët nga të dashurit e tyre, që e dëgjojnë fërkimin gjatë natës.

Nëse ju dyshoni se mund t’i copëtoni dhëmbët, flisni me dentistin. Ai mund t’ju kontrollojnë gojën dhe nofullat për shenja të bruksizmit, të tilla si ndjeshmëri të nofullave dhe anomali të dhëmbëve.

Pse është i dëmshëm fërkimi i dhëmbëve?

Në disa raste, fërkimi kronik i dhëmbëve mund të sjellë fraktura, lirshmëri ose humbje të dhëmbëve. Fërkimi kronik mund t’i zhveshë dhëmbët deri në rrënjë. Kur ndodhin këto ngjarje, ju mund t’ju nevojiten ura, kurora, kanale rrënjësh, implante, proteza të pjesshme dhe madje edhe proteza të plota.

Fërkimi i dhëmbëve jo vetëm që i dëmton dhëmbët duke sjellë dhe rënien e tyre, por mund të ndikojë edhe tek nofullat, të sjellë humbjen e dëgjimit, të shkaktojë ose të përkeqësojë çrregullimet e përkohëshme të nofullave dhe madje edhe të ndryshojë pamjen e fytyrës.

Çfarë mund të bëj për të ndaluar fërkimin e dhëmbëve?

Dentisti juaj mund t’ju pajisë me një mbrojtëse goje për të mbrojtur dhëmbët nga fërkimi gjatë gjumit.

Nëse fërkimin po e shkakton stresi, pyesni doktorin ose dentistin rreth mundësive për të reduktuar atë. Ndjekja e seancave të këshillimit për stresin, fillimi i një programi stërvitjeje, vajtja tek një terapist fizik, apo marrja e qetësuesve muskularë, janë disa nga opsionet që mund t’ju ofrohen.

Këshillat e tjera për t’ju ndihmuar të ndaloni fërkimin e dhëmbëve përfshijnë edhe këto:

  • Shmangni ose kufizoni ushqimet që përmbajnë kafeinë si, kola, çokollata dhe kafe;
  • Shmangni alkoolin. Fërkimi ka tendencë të shtohet pas konsumimit të alkoolit;
  • Mos kafshoni lapsa ose stilolapsa apo ndonjë send që nuk është ushqim. Shmangni çamçakëzat pasi ata i bëjnë nofullat që të mësohen me të kafshuarit e shpeshtë dhe kjo ju sjell fërkim të dhëmbëve;
  • Mësojeni veten të mos i shtrëngoni apo fërkoni dhëmbët. Nëse vini re se i fërkoni ose bashkoni dhëmbët gjatë ditës, poziciononi majën e gjuhës në mes të dhëmbëve. Kjo praktikë i mëson muskujt e nofullave që të çlodhen;
  • Qetësojini muskujt e nofullave gjatë natës duke mbajtur një leckë të ngrohtë në fytyrë, prapa veshit.

A i fërkojnë fëmijët dhëmbët?

Problemi i fërkimit të dhëmbëve nuk haset vetëm tek të rriturit. Përafërsisht 15% deri në 33% e fëmijëve i fërkojnë dhëmbët. Fëmijët që bashkojnë dhëmbët, kanë tendencë për ta bërë këtë në dy periudha piku: kur dalin dhëmbët e qumështit dhe kur dalin dhëmbët e tyre të përhershëm. Shumica e fëmijëve e lënë zakonin e fërkimit të dhëmbëve pasi këto dy grupe të dhëmbëve që përmendëm, kanë dalë plotësisht.

Zakonisht fëmijët i fërkojnë dhëmbët më shumë gjatë gjumit sesa gjatë orëve që janë zgjuar. Askush nuk e di saktësisht pse fëmijët i fërkojnë dhëmbët, hamendësimet përfshijnë linjën e çrregullt të dhëmbëve ose kontaktin jo të rregullt mes nofullës së sipërme dhe të poshtme, sëmundjet dhe kushtet e tjera mjekësore (të tilla si mangësitë në ushqyerje, krimba zorrësh, alergji, çrregullime endokrinale) dhe faktorët psikologjikë, duke përfshirë ankthin dhe stresin.

Fërkimi i dhëmbëve rrallë sjell probleme tek fëmijët. Megjithatë, ai mund të shkaktojë dhimbje nofullash, dhimbje koke, krijimin e një cipe në dhëmbë dhe çrregullime të përkohshme të nofullës. Konsultohuni me dentistin nëse dhëmbët e fëmijës suaj ju duken të veshur apo nëse fëmija juaj ankohet për ndjeshmëri të dhëmbëve apo dhimbje.

Ja disa këshilla specifike për ta ndihmuar fëmijën tuaj që të mos i fërkojë dhëmbët:

  • Qetësojeni fëmijën duke ia ulur stresin, sidomos para gjumit;
  • Provoni masazhin dhe ushtrime tkurrjeje për të çlodhur muskujt;
  • Sigurohuni që dieta e fëmijës suaj të përfshijë shumë ujë. Dehidratimi mund të ketë lidhje me fërkimin e dhëmbëve;
  • Pyesni dentistin tuaj për të monitoruar dhëmbët e fëmijës suaj, nëse ai i bluan dhëmbët vazhdimisht.

Për fëmijët parashkollorë, zakonisht nuk duhet ndonjë ndërhyrje në lidhje me fërkimin e dhëmbëve. Megjithatë, fëmijët më të rritur mund të kenë nevojë për një kurorë të përkohshme ose metoda të tjera, si p.sh. dikush që t’i ruajë natën, për të parandaluar fërkimin.


Komentoni