Fromilid bën pjesë në grupin e antibiotikëve të quajtur makrolidë.
Si të gjitha barnat, Fromilid mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse jo çdokush mund t’i provojë ato. Nëse shfaqet ndonjë nga simptomat e poshtë-shënuara, ndaloni së marri Fromilid dhe njoftoni mjekun: • reaksione të mbindjeshmërisë përfshirë enjtje të fytyrës, buzëve, gjuhës dhe/ose ezofagut (e cila mund të shkaktojë vështirësi në frymëmarje dhe gëlltitje), urtikarje, rash dhe të kruara, po ashtu anafilaksi (rënie e presionit të gjakut, nervozizëm, puls i shpejtë dhe i dobët, lëkure e djersitur) dhe forma të veçanta të reaksioneve të mbindjeshmërisë – sindromi Stevens-Johnson (ethe, rash i kuq në lëkurë, dhimbje kyçesh dhe inflamacion i syve) dhe nekroza epidermale toksike (temperaturë e papritur dhe fllucka në lëkurë); • diarre e rëndë dhe e qëndrueshme, e cila mund të jetë shenjë e një forme të veçantë të inflamacionit të zorrës së trashë (koliti pseudomembranoz). • zverdhje e lëkurës dhe pafuqi (ikter kolestatik, hepatit dhe në mënyrë të veçantë pamjaftueshmëri hepatike); • çrregullime të ritmit të zemrës, veçanërsisht shtim i të rrahurave ë zemrës (takikardia ventrikulare). Në eksperiencën pas hedhjes në treg, këto efekte anësore janë raportuar shumë rrallë (më pak se 1 në 10,000 pacientë); vetëm urtikarja dhe rashi me të kruara kanë qenë më të shpeshtat, konkretisht ato janë shfaqur në më pak se 1 në 100 pacientë të trajtuar. Efekte të tjera anësore Të zakonshme (në më pak se 1 në 10 pacientë): dhimbje koke, çrregullime të shijes, nauze, mostretje (dispepsia), dhimbje abdominale, të vjella, diarre. Jo të zakonshme (në më pak se 1 në 100 pacientë): inflamacion i gojës (stomatit, glosit), ndryshime të përkohshme të nuhatjes (ose humbje e nuhatjes dhe shijes), rritje e enzimave hepatike dhe e fosfatazës alkaline, rritje e niveleve të bilirubinës, kreatininës dhe uresë në serum dhe zgjatje e kohës së protrombinës. Të rralla (në më pak se 1 në 1000 pacientë): çngjyrosje e përkohshme e gjuhës dhe dhëmbëve, rënie e theksuar e nivelë të sheqerit në gjak (hipoglicemia) në pacientët që marrin barna për reduktimin e sheqerit në gjak, reduktim i numrit të rruazave të bardha të gjakut dhe trombociteve (leukopenia, trombocitopenia), mbirritje e baktereve dhe fungeve rezistente (p.sh. kandidozë). Shumë të rralla (në më pak se 1 në 10,000 pacientë): çpime, zhurmë në vesh dhe dëmtim i përkohshëm i dëgjimit, çrregullime të sistemit nervor qëndror (vertigo, marrje mendsh, konfuzion, ndjesi frike, pagjumësi, makth, të dëgjuarit dhe të parit e gjërave imagjinare, çrregullime mendore, konvulsione), dhimbje muskujsh dhe kyçesh, pamjaftueshmën e veshkave, inflamacion i pankreasit dhe përkeqësimi i miasthenia gravis. Nëse ndonjë nga efektet anësore bëhet serioze, ose vini re ndonjë efekt anësor që nuk është përshkruar në këtë fletëudhëzues, ju lutem njoftoni mjekun ose farmacistin.
Ju lutem informoni mjekun ose farmacistin nese jeni duke marrë ose keni marrë kohët e fundit barna të tjerë, përfshirë edhe ato barna që merren pa përshkrimin mjekësor. Klaritromicina metabolizohet në mëlçi, ku mund të frenohet veprimi i disa enzimave (P 450) të cilat janë të nevojshme për metabolizmin e një numri barnash të tjerë. Reduktimi i metabolizmit të barnave çon në rritjen e përqëndrimit të tyre në serum, i cili mund të çojë në efekte të rënda anësore. Për rrjedhojë, ju nuk duhet të merrni Fromilid bashkë me terfenadinë, cisaprid, pimozid dhe astemizol. Për sa i përket disa barnave që ju nevojitet ti merrni për një kohë të gjatë dhe nuk duhet ti ndërprisni, mjeku do të vendosë të masi nivelet e tyre në serum, nëse është e nevojshme, tu përshtas dozimin. Këto barna janë teofilina (bar për trajtimin e astmës), barnat për zemrën (digoksin, disopiramide), qetësuesit (triazolam, midazolam etj.), barnat për epilepsinë (karbamazepinë, fenitoin etj.), barnat për migrenën (alkaloidet ergot), barnat frenues të përgjigjes imunitare (ciklosporina dhe takrolimus) dhe barnat për trajtimin e dise infeksioneve (rifabutin dhe itrakonazol). Nëse Fromilid përdoret njëkohësisht me barnat për uljen e nivelit të kolesterolit dhe yndyrnave të tjera në gjak (lovastatina dhe simvastatina), mund të shfaqet dhimbje muskujsh dhe në raste shumë të rralla dhe shpërbërje muskulare (rabdomioliza). Për rrjedhojë, rekomandoheni të ndaloni së marri këto barna gjatë terapisë me Fromilid. Nëse jeni duke marrë Fromilid njëkohësisht me barna që parandalojnë mpiksjen e gjakut p.sh. varfarina (warfarina), veprimi i këtyre barnave mund të rritet dhe mund të shfaqet gjakrrjedhje. Mjeku duhet tu kërkojë edhe matjen e kohës së mpiksjes së gjakut. Nëse Fromilid merret njëkohësisht me zidovudinën, një bar për trajtimin e infeksionit nga HIV, absorbimi i zidovudinës reduktohet. Nëse Fromilid përdoret bashkë me ritonavirin (edhe ky një bar që përdoret në infeksionet nga HIV), përqëndrimet në serum të klaritromicinës rriten; gjithsesi, përqëndrimet e metabolitëve të tij janë të ulura në mënyrë të konsiderueshme.
Dozimi dhe kohëzgjatja e trajtimit varen nga tipi i infeksionit, vendi i infeksionit, mosha e pacientit dhe përgjigja ndaj trajtimit. Merreni barin ashtu siç jua ka përshkruar mjeku. Të rriturve dhe fëmijëve mbi 12 vjeç u jepet zakonisht 250 mg deri 500 mg çdo 12 orë. Trajtimi zgjat zakonisht 7 deri 14 ditë. Nëse keni përshtypjen se efektet e barit janë më të forta ose më të dobta, pyesni mjekun ose farmacistin.
Merreni gjithmonë Fromilid ekzaktësisht siç ju ka instruktuar mjeku. Ju duhet të pyesni mjekun ose farmacistin nëse nuk jeni i sigurt. Ju nuk duhet ta thyeni tabletën. Gëlltiteni të plotë atë me të paktën një gjysëm gote ujë.