Emri i këtyre tabletave është ARFEN. Ato përmbajnë, si lëndë vepruese, paracetamol. Përbërës të tjerë joveprues të tabletës janë celuloza mikrokristaline dhe stearati i magneziumit. Tabletat e ARFEN janë të rrumbullakta, me shënim në njërën faqe, dhe kanë ngjyrë të bardhë. Çdo tabletë përmban 500mg paracetamol. ARFEN mund ta gjeni në paketa që kanë 20 ose 100 tableta.
ARFEN zakonisht tolerohet mirë dhe shumica e pacientëve nuk kanë efekte të padëshiruara prej tij. Në raste të rralla, disa njerëz, mund të kenë reaksione alergjike, p.sh rash kutan (skuqje, në trajtën e puçrave te vogla, të lëkurës). Ka të dhëna që në raste shumë të rralla paracetamoli mund të shkaktojë çrregullime të gjakut. Efektet e padëshiruara zakonisht zhduken pas ndërprerjes së mjekimit.
Ju nuk duhet të përdorni ARFEN njëkohësisht me barna të tjerë që gjithashtu përmbajnë paracetamol. ARFEN nuk duhet të përdoret edhe në rastet kur ju jeni të mbindjeshëm ndaj paracetamolit apo përbërësve të tjerë të formulimit (janë shënuar më lart)
Të rriturit, përfshi edhe të moshuarit, dhe fëmijët mbi 12 vjeç mund të përdorin 1-2 tableta ARFEN, çdo 4 orë. Tabletat nuk duhen marrë më shpesh se çdo 4 orë. Nuk duhet të përdoren më tepër se 8 tableta në ditë. Në qoftë se ankesat dhe shenjat e sëmundjes nuk ndryshojnë këshillohuni me mjekun. Fëmijët 6-12 vjeç mund të përdorin 1/2 tablete ARFEN, çdo 4 orë sipas nevojës. Nuk duhet të përdoren më tepër se 4 tableta në ditë. Në rast se ankesat dhe shenjat e sëmundjes vazhdojnë më teper se 3 ditë këshillohuni me mjekun. Për fëmijët nën 6 vjeç mund të përdomi ARFEN shurup, por më parë duhet të këshilloheni me mjekun.
Ju mund të përdorni ARFEN kur keni dhimbje koke, kriza të migrenës, dhimbje muskulare ose reumatizmale, dhimbje dhëmbësh, dhimbje gjatë menstruacioneve. Gjithashtu, në rastet kur ftoheni ose ju ka zënë gripi, mund të përdorni paracetamol, pasi ai lehtëson shqetësimet trupore dhe ul temperaturën e rritur.