Manitoli është një diuretik osmotik për përdorim parenteral. Pas administrimit intravenoz të manitolit, vërehet rritje e osmolaritetit të plazmës dhe shtim i gradientit osmotik ndërmjet plazmës dhe indeve. Si rezultat, kemi një shtim të fluksit të ujit nga indet drejt intersticiumit dhe plazmës. Meqenëse manitoli nuk përthithet nga veshka, presioni osmotik i urinës rritet, gjë që shkakton frenimin e përthithjes së ujit dhe shtim të diurezës.
Akumulimi i manitolit mund të çojë në mbingarkesë cirkulatore, gjë që mund të çojë në edemë pulmonare dhe insufiçiencë kardiake kongjestive. Efektet anësore mbi SNQ përmbledhin: dhimbje koke, turbullim të shikimit, konvulsione. Ndër efektet gastrointestinale përfshihen: nauzea, të vjellat dhe diarrea. Prishja e ekuilibrit elektrolitik është tjetër efekt anësor i manitolit. Shenjat dhe simptomat më kryesore të prishjes së ekuilibrit elektrolitik (hiponatremi, hipokalemi, etj,) përfshijnë: krampet muskulare, parestezi, konfuzion, epilepsi, kontraksione ventrikulare premature, dhimbje koke. Efektet anësore kardiovaskulare përfaqësohen nga: hipotensioni, hipertensioni, takikardia sinusale dhe angina. Ekstravazimi i manitolit mund të çojë në edemë lokale dhe nekrozë kutane. Të tjera efekte anësore janë: hipovolemia, acidoza metabolike, tharja e gojës, ethe, polidipsia, poliuria, insufiçiencë renale, rhinit, flebit, retension urinar dhe urtikarie.
Manitoli rrit eliminimin urinar të litiumit, salicilateve, barbiturateve, imipraminës dhe bromideve. Manitoli mund të shkaktojë hipokalemi, ndaj, kur kombinohet së bashku me digoksinën, ai mund të rritë toksicitetin e kësaj të fundit. Manitoli mund të fuqizojë efektin e diuretikëve të tjerë, kur përdoret njëkohësisht me ta. Ai mund të fuqizojë edhe efektin e frenuesve të anhidrazës karbonike mbi presionin intraokular, kur jepet së bashku me to.
Parandalim i nekrozës tubulare akute dhe trajtim i oligurisë në terren të IRA Fillimisht provohet një dozë test prej 200 mg/kg, e administruar me infuzion të ngadaltë IV. Në rast përgjigje përdoret me dozë 50-200 gram, në formën e solucionit 5-25%, administruar me infuzion IV, duke patur si objektiv mbajtjen e një fluksi urinar prej 30-50 mL/orë. Tek fëmijët përdoret 0.25-2 gram/kg (solucion 15-25%) përgjatë 2-6 orëve. Edemë cerebrale, rritje e presionit intrakranial, rritje e presionit intraokular Përdoret me dozë 0.25-2 gram/kg, në formë solucioni 15-25%, e administruar me infuzion të shpejtë (30-60 minuta) intravenoz. Trajtim simptomatik i intoksikimeve (rritje e diurezës) Jepen me infuzion intravenoz 50-200 gram (fëmijët 2 gram/kg) me objektiv mbajtjen e një fluksi urinar prej 100-500 mL/orë.