traconazol-CIMEX është një ilaç kundër sëmundjeve të ndryshme fungale të lëkurës dhe të gojës. Për këtë mjafton kryesisht një kohëzgjatje e shkurtër e trajtimit. Itraconazol-CIMEX ndikon edhe kundër sëmundje të caktuara fungale të thonjve dhe të organeve të brendshme, por për këtë nevojitet një periudhë më e gjatë e trajtimit. Ai ndërhyn në metabolizmin e membranës së qelizave mikotike; përmes kësaj ato vdesin ose mund të zhduken më lehtë nga mbrojtja e vetë trupit. Itraconazol-CIMEX duhet të përdoret vetëm me recetën e mjekut.
Gjatë marrjes së Itraconazol-CIMEX mund të shfaqen këto ndikime anësore: çrregullime të lehta të traktit gastrointestinal (pështirosja, vjellje, diarre, dhimbje të stomakut, kapsllëk), dhimbje të kokës, marramendje, çrregullime menstruale si gjakderdhje të ndërmjetme ose gjakderdhje të vonuara mujore, dobësim i muskujve ose rënie e flokëve. Reaksionet të mbindjeshmërisë si ekzemë (skuqje e lëkurës, kruajtje), gulçime dhe/ose fytyrë e ënjtur u raportuan. Mund të shfaqen reaksione të rënda alergjike dhe mbindjeshmëri ndaj dritës së diellit. Në rast të tillë ndërpriteni terapinë dhe shkoni tek mjeku juaj. Në raste shumë të rralla mund të shfaqet një dhimbje në gjymtyrë apo një reaksion i rëndë i lëkurës. Po të ndodh kjo, ndërpriteni terapinë dhe shkoni tek mjeku juaj. Shkoni menjëherë te mjeku juaj ose kontaktojeni atë menjëherë në rast të shfaqjes së problemeve të frymëmarrjes (gulçim), gjatë shtimit të papritur të peshës, gjatë ënjtjes së këmbëve, gjatë lodhjes së pazakonshme ose nëse gjatë natës befas filloni të zgjoheni jashtëzakonisht shpesh, sepse këto mund të jenë shenjat e para të një dobësie të zemrës. Njëri apo disa prej simptomave vijuese mund të shfaqen gjatë çrregullimit të funksionit të mëlçisë, që ndodh shumë rrallë: mungesë e oreksit, pështirosje, vjellje, lodhje e pasqaruar, ekstreme, dhimbje të stomakut, verdhëza (ngjyrimi në të verdhë i lëkurës ose e pjesës së bardhë të syrit), urina e errët, jashtëqitja me ngjyrë të çelur. Në raste të tilla do të duhej të ndërpritet terapia dhe të informohet mjeku, sepse një çrregullim i funksionit të mëlçisë mund të marrë një rrjedhë të rëndë. Nëse shfaqet çfarëdo shenje tjetër e sëmundjes, për të cilën supozoni një lidhshmëri me marrjen e Itraconazol-CIMEX, do të duhej menjëherë të shkoni tek mjeku apo farmacisti juaj përkatësisht mjekja apo farmacistja juaj.
Gjatë sëmundjeve ekzistuese të mëlçisë apo nëse gjatë trajtimit me një ilaç tjetër janë konstatuar efekte të padëshiruara në mëlçi, do të duhej të informohet mjeku, ngaqë në këto raste është i rritur rreziku për probleme të rënda të mëlçisë.
Nëse nuk është udhëzuar ndryshe nga mjeku, Itraconazol-CIMEX duhet të merret si vijon: Sëmundjet mikotike të lëkurës Sëmundja me mikozë në lëkurën me qime apo pa qime: 1 kapsulë në ditë gjatë 2 javëve. Sëmundja e mikozës në këmbë dhe në duar: 1 kapsulë në ditë gjatë 4 javëve. Pityriasis versicolor 2 kapsula 1× në ditë gjatë javës së parë. Infektimi me myshqe (candida albicans) në gojë dhe faring 1 kapsulë në ditë gjatë 2 javëve. Mukozat e thonjve Mjeku juaj do të vendosë se a është për t’u zgjedhur një terapi e vazhdueshme apo një terapi ciklike (përsëritje periodike): Terapia e vazhdueshme: 2 kapsula 1× në ditë gjatë 3 muajve. Terapia ciklike: 2 kapsula 2× në ditë gjatë 1 jave e pasuar me 3 javë pauzë (=1 cikël). Në rast të infektimit fungal të thonjve të gishtave të dorës ky cikël të përsëritet 1×, në rast të infektimit fungal të thonjve të gishtave të këmbës të përsëritet 2×. Vetëm në rast të sëmundjes së thonjve të gishtave të dorës Java 1: 2× në ditë 2 kaps. Itraconazol-CIMEX. Java 2: S’ka terapi. Java 3: S’ka terapi. Java 4: S’ka terapi. Java 5: 2× në ditë 2 kaps. Itraconazol-CIMEX. Java 6: s’ka terapi; fundi i terapisë. Sëmundja e thonjve të gishtave të këmbës me ose pa thonjtë e gishtave të dorës Java 1: 2× në ditë 2 kaps. Itraconazol-CIMEX. Java 2: S’ka terapi. Java 3: S’ka terapi. Java 4: S’ka terapi. Java 5: 2× në ditë 2 kaps. Itraconazol-CIMEX. Java 6: S’ka terapi. Java 7: S’ka terapi. Java 8: S’ka terapi. Java 9: 2× në ditë 2 kaps. Itraconazol-CIMEX. Java 10: s’ka terapi; fundi i terapisë. Infektimi mikotik i organeve të brendshme Varësisht nga lloji i infeksionit janë të nevojshme 1× në ditë 1 kapsulë deri në 2× në ditë 2 kapsula gjatë disa muajve.
Kapsulat Itraconazol-CIMEX do të duhej të merren gjithnjë drejtpërdrejt pas një ushqimi të plotë me pak lëngje. Në mënyrë që Itraconazol-CIMEX të pranohet mjaftueshëm në trup, duhet të ketë mjaftë acide në stomak. Prandaj do të duhej që ilaçet që neutralizojnë acidet në stomak, të merren më së largu 2 orë para marrjes së Itraconazol-CIMEX. Nëse merrni ilaçe që bllokojnë prodhimin e acideve gastrike, Itraconazol-CIMEX nuk do të duhej të merret bashkë me lëngje kola. Në raste të dyshimeve pyetni mjekun apo farmacistin tuaj. Substanca aktive e Itraconazol-CIMEX mbetet në lëkurë edhe gjatë 2–4 javëve pas përfundimit të trajtimit dhe gjatë 6–9 muajve në thonj. Për këtë arsye ndikimi optimal arrihet shpeshherë tek pas disa javëve përkatësisht muajve pas mbarimit të terapisë dhe defektet në lëkurë përkatësisht thonj zhduken shpeshherë tek gjatë kësaj kohe. Prandaj mos u shqetësoni, nëse menjëherë gjatë terapisë nuk vëreni ende asnjë përmirësim, dhe vazhdoni trajtimin me Itraconazol-CIMEX, ashtu siç është udhëzuar nga mjeku juaj. Një terapi antimikotike e filluar do të duhej të zhvillohet aq gjatë siç ka udhëzuar mjeku. As doza ditore e as kohëzgjatja e terapisë nuk guxojnë të ndryshohen pa konsultimin me mjekun apo farmacistin tuaj. Nëse besoni se ilaçi po ndikon tepër dobët apo tepër fort, atëherë flisni me mjekun apo farmacistin tuaj.